Botë
Kosovë, shkollat hapën dyert, por jo për të gjithë nxënësit
14.09.2020 17:51
Në Kosovë filloi viti i ri shkollor, me masa të rrepta anti-Covid...

Me mësim kanë filluar vetëm nxënësit e klasave 0, 1, 2, 3, 6, 10. Klasat 4 dhe 5 do të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës.
Ndërkohë që në fazën e dytë, më 21 shtator, do të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online.
Kryeministri, Avdullah Hoti, i pranishëm në hapjen e një shkolle të re në Magure në Lipjan, apeloi që nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit të kenë kujdes maksimal.
“Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve bashke me ministrin e arsimit dhe me një grup të ministrisë së shëndetësisë, si dhe me ekspertë, që të krijohen kushtet e nevojshme që nxënësit të mos mbesin prapa. Mësimi nuk merret askund si në bankat shkollore, por gjithashtu jemi të rrezikuar nga kjo situatë, por bashkë do t’ia dalim.”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, maskat dhe distanca janë të obligueshme, temperature matet para çdo hyrje në shkollë, në klasa ka mjete për dezinfektim.
Do të ketë edhe kontrolle nëse rekomandimet zbatohen. Mësimi në Kosovë filloi teksa në 24 orët e fundit u regjistruan 4 viktima, 55 të infektuar të rinj dhe 150 të shëruar.
BELINDA KOKA ADEMI
