Maqedoni
Thirrjet anti-shqiptare nga “Komitët”, MPB: Punojmë në zbardhjen e plotë të rastit. Politika kërkon dënimin e autorëve
14.09.2020 18:25
“Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, kjo ishte një nga thirrjet e shumta që u dëgjua...

“Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, kjo ishte një nga thirrjet e shumta që u dëgjua gjatë së dielës nga grupi i tifozëve “Komitët” që edhe njëherë ripërsëritën thirrjet e tyre antishqiptare, kësaj radhe në mes të sheshit “Maqedonia” në Shkup, para ndeshjes Shkupi – Vardari.
Nga MPB në një përgjigje të shkurt na informuan se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit.
“Ministria e Punëve të Brendshme punon në marrjen e masave për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë, pas çka do ta informojmë opinionin.”,- thuhet nga MPB.
Nga Prokuroria Themelore Publike na thanë se deri në këtë moment nuk është dorëzuar padi penale dhe në momentin që do të ketë diçka do të veprohet sipas kompetencave që ka kjo prokurori.
Thirrjet anti-shqiptare u dënuan nga edhe nga politika. Zëvendëskryeministri, Artan Grubi, kërkoi përmes një statusi në FB, dënimin e atyre që përdorën gjuhën e urrejtjes.
“Sjellja e tillë nuk ka vend në shoqërinë tonë të re, shoqërinë e barabartë për të gjithë, me vlera euroatlantike. Indoktrinimi i rinisë dhe intoleranca etnike janë me afat të skaduar.”,- shkroi Grubi në profilin e tij zyrtar.
Edhe nga Alternativa i dënuan thirrjet albanofobe të “Komitëve” dhe kërkuan masa ndëshkuese ndaj tyre.
“E dënojmë këtë gjuhë të tifozëve maqedonas të KF “Vardar”, presim që klubi të distancohet prej tyre, ndërsa i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të mos heshtë dhe të bëjë rolin e “banorit të Marsit”, por t’i mbledhë video-materialet e këtyre skenave dhe të ngrejë padi për përhapje të gjuhës së urrejtjes, për thirrje për shfarosje, për poshtërim dhe ofendim të një komuniteti.”,- theksoi Faton Fazliu nga Alternativa.
Edhe përkundër reagimeve nga aktorët politikë, nuk dihet nëse kësaj here institucionet do të veprojnë, pasi nuk është hera e parë që këngë të tilla që kërkojnë vdekjen e shqiptarëve, të këndohen nga Komitët.
ZEKIRIJA MEXHITI
