Botë

Vritet zëvendësguvernatori i provincës Kandahar në Afganistan

03.11.2014 11:59

Zëvendësguvernatori i provincës Kandahar në jug të Afganistanit, Abdul Qadim Patyal, është vrarë derisa ishte i ulur në një klasë të një universiteti...

Autoritetet e vendit njoftojnë se Patyal, 32 vjeçar, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, pasi një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri në të, përmes një dritareje të një klase në Universitetin e Kandaharit.  Rasti ka ndodhur në orët e vona të 2 nëntorit. 
 
Përmes një deklarate lëshuar nga zyra e presidentit, Ashraf Ghani, vrasja është cilësuar si sulm terrorist. Ndërsa thuhet se qeveria do të hetojë rastin.
 
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
 
Ndryshe, ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Para gati tre vitesh, njëjtë është vrarë zëvendësguvernatori i provincës së Kandaharit Jugor.
 
Zëvendësguvernatori i atëhershëm ishte Abdul Latif Ashna, makina e të cilit ishte sulmuar nga talibanët.
 
Talibanët ndonëse tash sa vite janë vënë në sulme kundër qeverisë, muajt e fundit ata kanë rritur edhe më shumë aktivitetet e tyre.