Botë
Nisën shkollat në Shqipëri, grumbuj para dyerve, pa maska e distancë
14.09.2020 18:49
Kaosi dhe grumbullimet e shumta, janë ato me të cilën u përballën institucionet arsimore në Shqipëri...

Kaosi dhe grumbullimet e shumta, janë ato me të cilën u përballën institucionet arsimore në Shqipëri, në nisje të vitit të ri shkollor.
Qindra nxënës e prindër kanë qëndruar për disa minuta të grumbulluar, në shumë raste edhe pa maska, duke injoruar distancën e duke u bërë rrezik potencial për infektim nga Covid-19.
Nxënësve u është dashur të presin deri në momentin kur punonjësit kanë hapur derën për t’i lejuar të hyjnë, e më pas u kanë matur temperaturën.
Fëmijët duken të emocionuar, por edhe të trembur nga kjo mënyrë e re e të zhvilluarit të procesit mësimor.
Situata ka dalë jashtë kontrollit në orën 11, kur nxënësit kanë përfunduar turnin e parë, dhe kur nxënësit e turnit të dyrtë përgatiteshin të akomodoheshin në klasa.
Protokolli parashikon zhvillimin e mësimeve me 4 turne, distancë mes bankash dhe mësim të reduktuar. Megjithatë, duket se zbatimi i tij do të mbetet vetëm në letër, pasi prova e parë, mund të cilësohet e dështuar.
Ndërkaq, gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me Covid -19, 167 persona, ndërsa numri i viktimave është 4
LULJETA NDOKA
