Vendet aziatike përgatiten për vaksinim agresiv kundër gripit
Diçka më herët se zakonisht, disa vende aziatike po përgatisin fushatë agresive të vaksinimit kundër gripit...

Diçka më herët se zakonisht, disa vende aziatike po përgatisin fushatë agresive të vaksinimit kundër gripit, nga frika se shpërthimi i epidemisë së gripit në të njëjtën kohë me valën e re të Kovid-19 në vjeshtë dhe dimër mund të mbingarkojë sistemin e tyre shëndetësor.
Në Japoni, autoritetet shëndetësorë po përgatisin 31,2 milion vaksina kundër gripit, 7 për qind më shumë se vitin e kaluar, më shumë që nga viti 2015.
Koreja e Jugut do të sigurojë 30 milion vaksina kundër gripit për qytetarët e saj, 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Rreth 19 milion njerëz, ose një e treta e popullsisë së përgjithshme, do të vaksinohen falas, nga 13,8 milion koreanojugorë sa ishin vitin e kaluar.
Në disa pjesë të Kinës, ka interes në rritje në mesin e popullatës për vaksinimin kundër gripit, megjithëse në atë vend operacioni në përgjithësi nuk është falas, ndërsa autoritetet në Tajvan kanë njoftuar tashmë se do të sigurojnë më shumë se gjashtë milion doza falas të vaksinës kundër gripit.
Në Australi, e cila është pjesë e rajonit aziatik-paqësor, autoritetet kanë siguruar tashmë 16,5 milion doza të vaksinave të tilla, nga 13,2 milion vitin e kaluar.
Sipas mediave britanike, trend i ngjashëm ekziston në Evropë dhe SHBA, ndërsa kompanitë farmaceutike në SHBA pritet të sigurojnë rreth 200 milion vaksina kundër gripit këtë vit, ose rreth 20 për qind më shumë se zakonisht./mia
