Botë

UNESKO: Rritje dramatike e dhunës ndaj gazetarëve në protestat nëpër botë

14.09.2020 21:03

Dhuna ndaj gazetarëve që raportojnë për protesta në të gjithë botën është rritur në mënyrë dramatike...

Dhuna ndaj gazetarëve që raportojnë për protesta në të gjithë botën është rritur në mënyrë dramatike, ndërsa policia dhe forcat e sigurisë janë autorët kryesorë, njoftoi sot UNESKO.

Ky agjencion i KB-së, në mes janarit dhe qershorit të këtij viti, regjistroi 21 protesta në të cilat gazetarët u sulmuan, u arrestuan ose u vranë.

Sulmet janë pjesë e tendencës më të gjerë gjatë pesë viteve të fundit në të cilën policia dhe forcat e sigurisë kanë përdorur forcë të tepruar, thuhet në raportin e agjencisë.

Të paktën dhjetë gazetarë u vranë në mes vitit 2015 dhe vitit 2020, ndërsa 125 u sulmuan ose u arrestuan, thuhet në raportin e UNESKO-s që mbulon situatën në 65 vende.

Gazetarët e vrarë punuan në Siri, Meksikë, Izrael, Nikaragua, Irlanda e Veriut, Nigeri dhe Irak. Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s, Odri Azullaj, sot u bëri thirrje qeverive që të sigurojnë se gazetarët mund të bëjnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre.

“Gazetarët kanë rol kryesor në raportimin dhe informimin e qytetarëve në lidhje me protestat, kështu që ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha institucioneve përkatëse të sigurojnë respektimin e këtyre të drejtave themelore”, tha Azullaj.

UNESKO konsideron se arsyet e protestave janë pabarazia ekonomike, korrupsioni, shkelja e lirive politike, autoritarizmi në rritje, dhe për këtë arsye disa qeveri nuk janë të interesuara për informim objektiv./mia