Kulturë
IN MEMORIAM, Ndërroi jetë aktori e politikani, Ademi Mikullovci
15.09.2020 10:14
Sot ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare aktori dhe politikani, Adem Mikullovci.....

Adem Mikullovci u lind më 1939 në Komunën e Vushtrrisë. Bën pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor, sot Teatri Kombëtar i Kosovës. Në vitin 1968, pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd, kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër. Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. Ai gjithashtu provoi talentin e tij edhe në regji e dramaturgji. E sigurisht mbahet mend për rolet e tij në skecet humoristike ku diti të thumbojë realitetin e egër të jetës. Pos aktrimit Mikullovci iu bashkua edhe politikës.
Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Mikullovci hyri sërish në politikë kur u bashkua me Vetëvendosjen në maj të vitit 2017. Në zgjedhjet parlamentare të atij viti, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.
