Maqedoni

Kthimi në punë i prindërve, nënat paralajmërojnë protesta. VMRO-DPMNE: Kush do të kujdeset për fëmijët?

15.09.2020 14:51

Të enjten para qeverisë është paralajmëruar një protestë e nënave që kanë fëmijë deri në 10 vjeç...

Të enjten para qeverisë është paralajmëruar një protestë e nënave që kanë fëmijë deri në 10 vjeç. Ato kundërshtojnë vendimin e qeverisë për t’u kthyer në punë. Janë kundër edhe vendimit për ndërprerjen e pushimit të zgjatur të lindjes që prej 23 shtatorit. Edhe VMRO-DPMNE kundërshton vendimin për kthimin në punë nga 23 shtatori të prindërve të fëmijëve të moshës 6 deri në 10 vjeç. 
 
“Sipas informacioneve nga shkollat, ndërrimi i parë për nxënësit deri në 10 vjeç do të zgjasë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 10 e 15 minuta, ndërrimi i dytë fillon në 10:30 dhe do të zgjasë deri në orën 12:45… Prindërit kanë kështu vetëm një zgjedhje, ose të lënë punën, ose do të lënë vetëm fëmijët deri në moshën 10 vjeç. Nëse ndiqet orari i përcaktuar, fëmijët nga ndërrimi i parë, pas orës 10:15, duhet të lihen vetëm. Edhe nëse këta fëmijë mësojnë online, a duhet të lihen vetëm në shtëpi, pa mbikëqyrje dhe të menaxhojnë vetë një kompjuter me një qasje krejtësisht të re për të mësuarit në internet?”,- tha Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
 
Nga VMRO insistojnë që qeveria ta tërheqë këtë vendim të përshpejtuar, të hapë debat publik para çdo vendimi tjetër e të marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e prindërve, e para së gjithash, në fokus të ketë kujdesin dhe interesin e fëmijëve.
 
REJHANE BUSHI METAJ