Maqedoni
MPB shton kontrollet në trafik, sanksione për çdokënd që shkel rregullat
15.09.2020 15:12
Ministria e Brendshme ka filluar kontrolle të përforcuara për të sanksionuar mosrespektimin e rregullave të trafikut....

Ministria e Brendshme ka filluar kontrolle të përforcuara për të sanksionuar mosrespektimin e rregullave të trafikut. Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, thotë se të gjithë shkelësit e rregullave në trafik do të sanksionohen, veçanërisht ata që me sjelljen e tyre në trafik, bëhen shkaktarë të aksidenteve, duke i dhënë makinës në gjendje të dehur apo duke i dhënë makinës me shpejtësi.
“Në mjediset urbane për shkak të sigurimit të qarkullimit më të madh në komunikacion, do të ketë prani të përforcuar të policisë rrugore dhe automjeteve të posaçme për mënjanim të automjeteve. Gjithashtu, në mënyrë më se rigoroze do të sanksionohen vozitësit e motorëve të cilët drejtojnë mjetin në kundërshtim të rregullave dhe i shqetësojnë qytetarët në orët e vonshme të natës.”,- tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
Vetëm të hënën, në territorin e qytetit të Shkupit janë dhënë 514 dënime. 30 për drejtim të veturës pa patentë, 87 për tejkalimin e shpejtësisë, 18 automjete kanë qenë të paregjistruara, janë ndaluar edhe 36 motoristë dhe janë dhënë edhe 169 gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse. Aksioni për siguri në komunikacion, siç njoftojnë nga MPB, do të vazhdojë deri sa të arrihet efekti në komunikacion.
SEDAT SELIMI
