Botë

Covid-19, rekord viktimash për 24 orë në Indi, ShBA e Brazil

15.09.2020 16:13

Shifrat Covid-19 në botë vazhdojnë të rriten. India, SHBA dhe Brazili....

Shifrat Covid-19 në botë vazhdojnë të rriten. India, SHBA dhe Brazili kanë regjistruar numrin më të lartë të viktimave në 24 orë. Në Indi u regjistruan 1.054 vdekje dhe 83.809 raste të reja.  Shtetet e Bashkuara regjistruan 35.177 raste të reja dhe 507 viktima. Brazili njoftoi për   15.155 raste të reja  dhe 381 viktima. Edhe Meksika regjistroi  228 vdekje dhe  3.335 raste të reja në 24 orë. Shqetësuese situata edhe në kontinentin Afrikan. Në 24 orët e fundit janë shënuar 6.596 raste të reja dhe 171 vdekje. Në Rusi në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 5.529 raste të reja dhe 150 të vdekur.  Franca ka shënuar 7101 raste të reja dhe 6 viktima gjatë 24 orëve të fundit ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 3300 raste pozitive dhe 5 viktima. Sipas Universitetit “John Hopkins”, numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 29 milionë, me 924.953 vdekje dhe pothuajse 19.7 milionë të shëruar. OBSH  paralajmëron se Covid-19 nuk do të jetë kriza e fundit pandemike dhe bëri thirrje për investime politike dhe financiare për të parandaluar pandemitë.
 
PEC: 366 punonjës mediatikë vdiqën si pasojë e Covid-19
 
Ndërkohë, një raport i organizatës joqeveritare “Press Emblem Campaign” tregon se të paktën 366 gazetarë në 47 vende kanë vdekur si pasojë e COVID-19 që nga fillimi i muajit mars. Hulumtimi i PEC tregon se nga virusi në vendet e Amerikës Latine kanë humbur jetën 205 punonjës mediatik, në Azi 90, në Evropë 28, në Afrikë 22 dhe në Amerikën Veriore 21. Peruja është në rend të parë me 82 punonjës mediatik, më pas vijon Ekuadori me 40, India 36 dhe Bangladeshi 31. Në Maqedoninë e Veriut deri më tani nga COVID-19 jetën e kanë humbur dy punonjës mediatik. Në Shqipëri COVID-19 ka prekur 14 gazetarë gjate 6 muajve të fundit, por nuk ka raste të vdekjeve. PEC gjithashtu njofton se që nga fillimi i vitit në mbarë botën 54 gazetarë janë vrarë me shkaqe të ndryshme, kështu që numri i punonjësve mediatik që kanë humbur jetën ka tejkaluar shifrën 400.
 
GAZMEND KURTISHI