Maqedoni
Covid-19, 9 të vdekur, 98 të infektuar e 104 të shëruar
15.09.2020 16:37
9 të vdekur, 98 persona pozitivë nga 1404 teste të bëra dhe 104 pacientë të shëruar....

9 të vdekur, 98 persona pozitivë nga 1404 teste të bëra dhe 104 pacientë të shëruar. Ky është bilanci i Covid-19 në vend në 24 orët e fundit. Në mesin e viktimave ka edhe dy të rinj, një 23 vjeçar nga Shkupi dhe një 29 vjeçar nga Strumica. Edhe mosha e viktimave të tjera është relativisht e re. Betejën Covid nuk e fitoi dot edhe një 44 vjeçar nga Strumica, një 52 vjeçar nga Kriva Pllanka, dy qytetarë nga Gostivari (60 dhe 62 vjeç), një 60 vjeçar nga Kumanova, një 70 vjeçar nga Velesi dhe një 71 vjeçar nga Shkupi.
Frika për shtimin e numrave shtohet, teksa vjeshta po afron, çerdhet u hapën dhe shkollat po bëhen gati. E kjo shton pyetjen se sa të sigurt janë fëmijët.
Hapja e çerdheve dhe shkollave, Karaxhovski: Analizuam gjatë, pastaj vendosëm
Në një çerdhe në Shkup u regjistrua një rast Covid pozitiv te një fëmijë 1 vjeç që në ditën e dytë të hapjes së çerdhes, menjëherë u izoluan të gjithë fëmijët e këtij grupi bashkë me një pedagog dhe dy edukatore. Dy raste pozitive të edukatoreve u regjistruan edhe në Manastir, megjithatë pa probleme për ecurinë e procesit pasi edukatoret janë izoluar në kohë. Nga Komisioni për Sëmundje Infektive, thonë se vendimi për hapjen e çerdheve dhe shkollave për fëmijët deri në klasë të 3, u mor pas analizave të më shumë faktorëve, sigurisht duke pasur parasysh mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
“Çerdhet, siç e dini, kanë kaluar skriningun dhe kanë qenë të gatshme që të fillojnë me punë shumë më herët. Kemi testuar mbi 4 mijë të punësuar dhe janë paraparë të gjitha detajet e mundshme për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve. Çdo vendim mendohet shumë më herët, ashtu sikur për çerdhet edhe për shkollat janë menduar protokollet mbrojtëse. E kemi konstatuar rrezikun, por e kemi minimizuar si nga prezenca ashtu edhe nga ndërrimet në shkolla. Mësimi online nuk paraqet asnjë rrezik dhe rreziku për t’u infektuar do të mbetet në shtëpi dhe nuk do të bartet në shkollë. Aty ku është numri më i ulët i nxënësve aty do të lejohet dhe prezenca fizike.”,- theksoi kryetari i Komisionit për Sëmundjet Infektive, Zharko Karaxhovski.
Karaxhovski: Gati për gripin sezonal dhe për një valë të dytë
Njësoj është analizuar edhe rreziku për kthimin në punë të të sëmurëve kronikë, të cilët me masa mbrojtëse, nuk rrezikojnë shëndetin nga Covid-19. Sistemi ndërkohë po përgatitet jo vetëm për përballje me gripin sezonal, por edhe për një valë të re të virusit Korona.
“Gripi me simptoma respiratore është i ngjashëm me simptomat e Covid-19. Por, si do të përballet shteti? Me 55 mijë vaksina kundër gripit për personat me të rrezikuar planifikojmë 16 spitale Covid. Kemi këtë kuadër që kemi dhe po implementojmë rotacion të ekipit mjekësor me qëllim që në valën e dytë të kemi mjekët në dispozicion.”,- tha kryetari i Komisionit për Sëmundjet Infektive, Zharko Karaxhovski.
Që nga fillimi i pandemisë, mesatarisht në ditë janë infektuar rreth 120 persona. 160 laboratorë në botë janë në garë për vaksinën Sars Cov 2. Karaxhoski pret që sapo të jetë gati vaksina e re, e miratuar nga OBSH, atëherë të nisin bisedimet që edhe vendi të furnizohet me të njëjtën. Deri atëherë apelon për kujdes, sepse, sipas tij, virusi do të jetë gjatë kohë i pranishëm mes nesh.
GAZMEND REXHEPI
