Maqedoni

Punonjësit e NPK “Tetova” në protestë, kërkojnë pagesën e kontributeve që nga janari

15.09.2020 16:53

Për më shumë se 8 muaj, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”...

Për më shumë se 8 muaj, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”,  nuk u ka paguar kontributet punëtorëve të saj. Punëtorët kanë protestuar e madje janë futur në grevë. Ata kërkojnë pagesën e kontributeve, në të kundërtën nuk do t’i kryen obligimet ditore. 
 
“Sigurime nuk kemi aspak, krejt punëtorët që jemi nuk kemi sigurime.”,- u shpreh një punëtor.  
 
“Protestojmë se sigurimet nuk na i kanë paguar për shëndetësi. Nga muaji janar nuk na i kanë paguar. Ne kemi punuar çdo ditë. Kemi ngelur edhe me njerëzit ne, ata nuk paguajnë edhe këto nuk na paguajnë neve çka na takon.”,- tha një punëtor.
 
Ceka kërkon ndihmë nga qeveria: Jemi në kolaps financiar, qytetarët nuk paguajnë
 
Drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka, pranon se kontributet nuk janë paguar, por arsyetohet se ndërmarrja ka pasur buxhet të vogël dhe qytetarët nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre.
 
E kjo ka sjellë si pasojë mospagesën e kontributeve për të punësuarit. Ceka kërkon nga qeveria që t’u dalë në ndihmë ndërmarrjeve publike pasi gjendja po vështirësohet. 
 
“Ne ju kemi borxh poshtë-lart 8-10 milion denarë kontribute, por humbja është shumë e madhe, pasi qytetarët nuk paguajnë obligimet e tyre. Kjo protestë është një mesazh dërguar të gjitha institucioneve, që në fazën e tretë ndërmarrjet publike të jenë në plan programin e qeverisë për ndihmë, pasi ata na ndaluan  edhe vërejtjet t’i dërgojmë edhe paditë dhe normal që jemi ballafaquar me mungesë të mjeteve nga ana e qytetarëve.”,- u shpreh drejtori i NPK – Tetovë, Xhelal Ceka.
 
Nga fillimi i pandemisë e deri më sot, NPK-Tetova ka një humbje prej rreth 26 milion denarë dhe kjo ka bërë që kjo ndërmarrje të jetë në kolaps financiar.
 
Ceka ankohet se edhe pse në asnjë moment nuk e kanë ndaluar punën edhe në kohë pandemie, qeveria nuk e ka parë të udhës që punonjësit e ndërmarrjeve komunale t’i shpërblejë të paktën me vauçerë, siç ndau për shumë qytetarë.
 
VISAR SADIKI