Maqedoni

Zaev në panelin e “Ekonomist”: Çështjet delikate zgjidhen me vullnet të forte

16.09.2020 11:57

Nevojitet një vullnet i fortë politik për të zgjidhur të gjitha çështjet delikate

Nevojitet një vullnet i fortë politik për të zgjidhur të gjitha çështjet delikate, dhe ky është një mesazh inkurajues për Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri, Zoran Zaev, në panelin mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në konferencën e revistës prestigjioze “Economist”, që mbahet në Athinë.
 
“Së bashku ne përballemi me të njëjtat sfida shëndetësore dhe ekonomike, vetëm së bashku mund t'i kapërcejmë ato, me një bashkëpunim më të ngushtë dhe solidaritet më të madh. Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të investojmë në marrëdhënie të mira fqinjësore, të kapërcejmë çështjet e hapura me dialog dhe tolerancë, dhe të përmirësojmë bashkëpunimin rajonal”,- tha Zaev.
 
Ai shpreson që arritjet e RMV-së, marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, janë mjaft frymëzuese për udhëheqësit në rajon, që të angazhohen për të nxitur paqen dhe stabilitetin, për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të arritur një zhvillim më të madh ekonomik dhe për të qëndruar plotësisht të angazhuar për integrimin euro-atlantik. Kryeministri theksoi se për të është me rëndësi të veçantë që udhëtimi i tij i parë i punës jashtë vendit në mandatin e dytë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një vizitë pune në Republikën e Greqisë, e cila përveç pjesëmarrjes në konferencën e “Ekonomist”, përfshin takime me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe presidenten, Katerina Sakelaropoulou.
 
Panelit gjithashtu iu drejtuan kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ish-ministrat e jashtëm grekë, Dora Bakoyannis dhe George Koutrogalos. Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të cilët e shoqërojnë kryeministrin Zaev gjatë vizitës në Athinë, do të kenë program të posaçëm dhe takime me kolegët e tyre grekë.