Maqedoni
Kthimi në punë i prindërve, Shahpanska: Çerdhet u hapën që prindërit të shkojnë në punë
16.09.2020 15:05
Me rihapjen e çerdheve, prindërit e fëmijëve nën 6 vjeç nuk kanë arsye që të mos shkojnë në punë...
Me rihapjen e çerdheve, prindërit e fëmijëve nën 6 vjeç nuk kanë arsye që të mos shkojnë në punë, vlerëson ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska. Sipas saj, në çerdhe ka mjaftueshëm vende të lira për fëmijët me një prind dhe për fëmijët që i kanë të dy prindërit në punë.
“Ka 4500 vende të lira në çerdhe, prioritet do të kenë prindër të vetëm dhe dy prindër që janë të punësuar. Nevoja e prindërve për të mos shkuar në punë pas hapjes së çerdheve është e pabazë. Pushimi i vazhduar i lindjes e humb kuptimin me hapjen e çerdheve. Ata prindër i ruajtën fëmijët e tyre, sepse çerdhet nuk funksiononin.”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska.
VMRO-DPMNE: Qeveria ta tërheq vendimin
Por, VMRO-DPMNE ka kërkuar që Qeveria ta tërheq vendimin, i cili sipas kësaj partie është i përshpejtuar dhe nuk janë marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e prindërve të cilët nuk janë regjistruar në çerdhe.
“Përpara se të sillet ky vendim, Qeveria aspak nuk ka vënë në llogari numrin e fëmijëve nën 6 vjeç të cilët nuk janë regjistruar në çerdhe apo nëpër qendra kujdesi, gjithashtu nuk është bazuar në kapacitetin e vërtetë hapësinorë si dhe në aspektin e resurseve njerëzore. Shkurt nëpër çerdhe nuk ka vende të lira.”,- theksoi Eli Papnova nga VMRO-DPMNE.
Shoqatat e Grave paralajmërojnë protesta para qeverisë
Edhe shoqatat e grave kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë, duke paralajmëruar protesta përpara Qeverisë të nënave që kanë fëmijë deri në 10 vjeç. Ato kundërshtojnë vendimin e qeverisë për t’u kthyer në punë, përkatësisht zgjatjen e pushimit deri në fund të vitit ashtu siç kishte rekomanduar më herët Komisioni i Sëmundjeve Infektive.
FARIJE DAUTI BAKIJU
