Maqedoni
ISHP: 200 të prekur nga gripi
03.11.2014 15:49
Sezoni i gripit në Maqedoni tanimë ka hyrë në javën e katërt, ndërsa bazuar në pasqyrën klinike, nga virusi i gripit janë të prekur rreth 200 persona, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik...

Por, numri i personave të prekur nga gripi po shkon në rritje, thotë Dugagjin Osmani nga ky institut, pasi në dy javët e para të fillimit të sezonit të gripit numri ka qenë më i vogël, ndërsa vetëm në javën e fundit numri është rritur për 100 persona.
“Flasim për një konfirmim në bazë të pasqyrës klinike dhe në bazë të sezonit të gripit. Në dy javët e para numri ishte më i vogël, ndërsa në javën e tretë kemi rritje. Pra, numri i përgjithshëm deri të premten e kaluar është 200, prej të cilëve 100 janë vetëm në javën e fundit”- tha Dugagjin Osmani nga Instituti i Shëndetit Publik.
Këtë vit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është më i madh se sa vitin e kaluar, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik, prej ku bëjnë të ditur se deri më tani në qendrat e shëndetit publik në vend janë vaksinuar 3 mijë e 265 persona.
“Informatat janë se deri më tani janë vaksinuar 3265 persona. Nëse i ndajmë në bazë të grupmoshave dhe në bazë të sëmundjeve kronike që kanë, numri i të vaksinuarve është në moshën mbi 65 vjet, rreth 1060 persona, po ashtu personat nga mosha 18 deri në 64 vjet që kanë sëmundje kronike, apo që u takojnë grupeve me rrezikshmëri më të lartë, që u sugjerohet të marrin vaksinë, ata janë mbi 1000 persona, pastaj personat që nuk kanë ndonjë sëmundje kronike, numri i tyre është afër 700 persona. Dhe në fund, personat prej 10 deri në 18 vjet, numri i tyre është deri në 153 persona” – tha Osmani.
Rreziku më i madh nga prekja e gripit qëndron te personat e moshuar, fëmijët e vegjël dhe personat e prekur nga ndonjë sëmundje kronike, si: sëmundjet e zemrës, të mushkërive, diabetit apo sëmundjet e veshkave.
Prandaj, këtyre kategorive u sugjerohet të marrin çdo vit vaksinë kundër gripit, pasi vaksina është mjeti i vetëm efikas që ndikon në parandalimin e virusit, theksoi Osmani, sipas të cilit është me rëndësi që qytetarët të vaksinohen para se të jenë prekur nga virusi, pasi vaksinës i nevojiten dy deri në tre javë që organizmit t’i formon anti-truptha për mbrojtje kundër virusit.
Osmani po ashtu sqaron se edhe këtë vit vaksina në Maqedoni është trivalente, që përbëhet nga virusi i tipit H3N2, H1N1 dhe nga tipi B.
GYLTENE SINANI
