Maqedoni
Korona - kriza, Besimi: Gjendja është serioze, por ka zgjidhje
16.09.2020 15:58
Do të përkushtohem për paga solide, rritje të qëndrueshme ekonomike...

Do të përkushtohem për paga solide, rritje të qëndrueshme ekonomike, vende të reja pune dhe të ardhme evropiane. Me këtë zotim doli ministri i financave, Fatmir Besimi, pas marrjes se detyrës. Ai theksoi se pandemia e virusit Korona ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë pasoja, por ekziston zgjidhje. Besimi theksoi se në rast të përmirësimit të gjendjes me virusin Korona vendi shumë shpejt do të kthehen në rrugën e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, me shkallë prej 4 deri 5 për qind.
“Detyra jona është edhe sa më shpejt të kthehemi në rrugën, e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, rroga dinjitoze, krijim të vendeve të punës dhe ulje të papunësisë, politikë të parashikueshme tatimore dhe në përgjithësi të ardhme evropiane këtu, për qytetarët tanë.”,- u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi.
Besimi: Punohet në pakon e katërt të masave
Besimi theksoi se tashmë me ekipin e tij po punon aktivisht në masa dhe politika që mundësojnë mbështetje inkluzive, përfitimet nga të cilat do t’i gëzojnë sa më shumë qytetarë.
“Ne si qeveri punojmë në pakon e re të masave, këtu në ministri por edhe në institucione tjera dhe ajo do të konsolidohet më së voni deri në fund të muajit, po edhe brenda javës së ardhshme do të kemi disa propozime të cilat duhet analizuar se sa mund të rëndojë në aspektin fiskal.”,- u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi.
Besimi potencoi se pakoja e katërt e masave është e orientuar drejt rikuperimit ekonomik, përkatësisht përforcim të likuiditetit dhe stabilitetit financiar të ndërmarrjeve, stimulim të konsumit privat dhe nxitjes së investimeve në ekonomi.
ZEKIRJA MEXHITI
