Maqedoni

ASh-AA: Lubotenasit nuk kanë ujë të pijshëm

16.09.2020 16:22

Në rrethana kur bota po përballet me virusin Korona dhe vazhdimisht apelohet për rritjen e nivelit të higjienës...

Në rrethana kur bota po përballet me virusin Korona dhe vazhdimisht apelohet për rritjen e nivelit të higjienës, banorët e Lubotenit nuk kanë ujë të pijshëm, alarmojnë nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Sipas tyre, edhe përkundër premtimeve të shumta të autoriteteve, problemi nuk është zgjidhur dhe lubotenasit në shtëpitë e tyre nuk kanë ujë.  
 
“Ky nuk është lajm i ri, por është një dhimbje e vjetër, që vazhdon të mbetet aktuale për vite të tëra. Madje, përkundër premtimeve të kryetarit të Qytetit të Shkupit, z. Shilegov dhe kryetarit të komunës së Butelit, z. Smileski, zotime këto që ishin dhënë edhe me shkrim, sot në Luboten vazhdon të mos ketë ujë të pijshëm nëpër amvisëritë e fshatit. Dhe, duke reaguar dhe duke kërkuar që ky problem të zgjidhet pa premtime, por konkretisht sot dhe pa mashtrime, ne i pyesim këta zotërinj se me çfarë morali do të paraqiten vitin e ardhshëm në Luboten?”,- tha Vullnet Selimi nga ASh - Dega Butel.
 
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thanë se do të vazhdojnë të ngrenë zërin për problemet që i tangojnë qytetarët e vendit, e që sipas tyre nuk janë zgjidhur me vite të tëra. 
 
ERSAN PAJAZITI