Botë

Hoti flet për dialogun, ndërpritet me fishkëllima

16.09.2020 16:54

Kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, u ndërpre me fishkëllima...

Kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, u ndërpre me fishkëllima në diskutimin për dialogun Kosovë-Serbi, që u organizuar nga shoqëria civile në Prishtinë.
 
Hoti me këtë rast deklaroi se marrëveshja finale duhet të rezultojë dhe arrihet vetëm me njohje reciproke dhe jo në ndonjë formë tjetër. Pa njohje reciproke me Serbinë nuk ka as normalizim të plotë ekonomik, thekson Hoti i cili të enjten do të qëndrojë në Bruksel për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi.
 
Thaçi: Hapja e temës së asociacionit, e rrezikshme
 
Por, për atë që do të diskutohet në Bruksel, Hoti duket se nuk e ka mbështetjen e presidentit, Hashim Thaçi, i cili e ka vlerësuar gabim të madh dhe të rrezikshëm hapjen e temës së Asociacionit, që sipas presidentit, është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës.
 
“Rihapja e Çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel pas një dekade është rikthim mbrapa për Kosovën, është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës, cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e republikës serbe në Kosovë.”,- theksoi president i Kosovës, Hashim Thaçi. 
 
Vetëvendosje reagon ndaj Thaçit: Tërhiqe nënshkrimin nga Marrëveshja për Asociacionin
 
Por, deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, fillimisht ta tërheq nënshkrimin nga Marrëveshja për Asociacionin në vitin 2015 dhe më pas të ftojë, siç thotë ajo, partinë e tij, PDK-në, që të votojë rrëzimin e qeverisë Hoti. 
 
“Ne sapo e pamë deklaratën e presidentit dhe ne pikërisht kemi reaguar më kohë. I bëjmë thirrje presidentit ta tërheq nënshkrimin e vitit 2015. Më pastaj ta ftojë partinë e tij, PDK-në, që ta votojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.”,- theksoi Fitore Pacolli nga VV.
 
Vetëvendosje e ka kritikuar edhe zotimin e Qeverisë në marrëveshjen e Uashingtonit për mosaplikim të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ky zotim e prek edhe mosanëtarësimin në NATO, theksojnë nga Vetëvendosje.
 
SEDAT SELIMI