Maqedoni

Grubi: Regjistrimi i popullsisë vitin e ardhshëm

16.09.2020 17:36

Gara e zgjedhjeve lokale të vitit 2021 pritet të mbahet me lista të hapura për anëtarët e këshillave komunal...

Gara e zgjedhjeve lokale të vitit 2021 pritet të mbahet me lista të hapura për anëtarët e këshillave komunal. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, në emisionin “Argument” në TVM2. Ai sqaroi se bëhet fjalë për pilot projekt i cili, nëse është i suksesshëm dhe i pranueshëm për qytetarët mund të aplikohet edhe për zgjedhjet parlamentare. Para zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm pritet të mbahet edhe regjistrimi. Këto dy çështje kanë dakordësi brenda qeverisë, tha Grubi, i cili shpreson që do të mbështeten edhe nga partitë opozitare në Kuvend. 
 
“Unë shpresoj që opozita shqiptare mos të rreshtohet me VMRO-DPMNE-në në këtë drejtim, në veçanti në miratimin e Ligjit për Regjistrim dhe të na mundësojnë që në vitin e ardhshëm në prill të fillojmë procesin e regjistrimit të popullsisë, për arsye se i fundit ka ndodhur në vitin 2002, jemi 18 vite pa regjistrim të popullsisë. Është e nevojshme për zbatim të politikave ta dimë se sa njerëz ka aktualisht në vendin tonë, çfarë niveli të arsimimit kanë, sa janë me status të punësuar apo të papunësuar, të dhëna të ndryshme demografike që do të na ndihmojnë për t’i zhvilluar politikat dhe për t’i zbatuar ato.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Grubi: Kritika ndaj VMRO-DPMNE-së dhe ASh-së
 
Duke folur për protestat e VMRO-DPMNE-së, Grubi thotë se pak më ndryshe startoi përbërje e re qeveritare, pasi që për të parën herë opozita pengoi verifikimin e mandateve të deputetëve zëvendësues. 
 
“Që të dyja, VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca me Alternativën, bashkërisht bojkotuan këtë proces demokratik, duke mos përkrahur vijimin e mandatit të kolegëve të tyre deputetë në Kuvend. Po i shohim edhe në protesta edhe në pres-konferencat e përditshme, në një mungesë ndoshta të kulturës demokratike dhe të praksës euroatlantike, europiane të respektimit të së paku 100 ditshit të parë të qeverisë së re. Ja që jemi katandisur me një opozitë të tillë e cila në fakt duket sikur e ka uzurpuar hapësirën opozitare për arsye se që në të dyja kampet kemi udhëheqës të opozitës të cilët tashmë kanë humbje zgjedhore me radhë.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Grubi njëherit bëri të ditur edhe emrat e zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë nga radhët e BDI-së. Zëvendësministër i Punëve të Brendshme do të jetë Nazim Bushi, zëvendësministër i Drejtësisë, Agim Nuhiu, Bashkim Hasani do të jetë njeriu i dytë në Ministrinë e  Mbrojtjes, në Transport dhe Lidhje - Bekim Rexhepi, ndërsa në ministrin e shëndetësisë, Ilir Hasani. Grubi gjithashtu njoftoi se sekretarë shtetërorë në Ministrinë për Sistem Politik do të jetë Rami Qerimi, në atë të kulturës do të vazhdojë detyrën Valmir Aziri, në Bujqësi i propozuar është ish deputeti Rexhail Ismali, Resmi Ejupi në Punë dhe Politikë sociale dhe Selajdin Beluli - sekretar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. 
 
SANIJE DURAKU