Botë
Kosovë, tre të vdekur e 76 të infektuar. Shqipëri, tre të vdekur e 144 të infektuar. Trump: Vaksina do të jetë gati brenda një muaji
16.09.2020 17:58
Tri viktima dhe 76 raste të reja me virusin Korona u konfirmuan gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë...

Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thuhet se rastet e reja rezultojnë nga testimi i 538 mostrave.
Po ashtu bëhet e ditur se në 24-orëshin paraprak janë shëruar edhe 165 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 14,839, numri i viktimave në 604 dhe i të shëruarve në 11,949.
Raste aktive mbeten edhe 2,286. Ndërkohë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 144 raste pozitive, nga gjithsej 824 testime të kryera, kurse fatkeqësisht jetën e kanë humbur tre persona.
“Situata në spitale vazhdon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Shefqet Ndroçi po trajtohen 174 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve e kanë humbur betejën me Covid-19, një 57 vjeçar nga Lushnja dhe një 74 vjeçar dhe 84 vjeçar nga Tirana.”,- tha ministrja e shëndetësisë e Shqipërisë, Mirela Cami.
Ndërsa sa i përket virusit Korona në botë, SHBA-të mbeten vendi me më shumë njerëz të infektuar dhe të vdekur. Por, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, paralajmëron se vaksina anti-Covid mund të jetë gati brenda një muaji.
“Ne do ta kemi gati shumë shpejt. Në pak javë, mund të jetë gati për katër apo tetë javë, por ne do ta kemi. Ne jemi vërtet pranë krijimit të saj dhe kjo nuk është diçka e mirë vetëm për ne, por për të gjithë botën. Unë nuk po e them këtë për arsye politike, unë dua vaksinën shumë shpejt. Dhe sa më shpejt që të vihet në dispozicion, qeveria do të jetë e gatshme për ta shpërndarë atë menjëherë.”,- theksoi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Deklarata të tilla të Trump janë cilësuar nga ekspertët dhe analistët si deklarata politike që bëhen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e nëntorit.
Në ndërkohë India është vendi me më shumë të infektuar në 24 orët e fundit apo mbi 91 mijë raste. Situata e rëndë vazhdon të jetë edhe në vendet e Amerikës Latine si në Brazil, Argjentinë, Kolumbi e Meksikë.
Kurse, rritja e numrit të të infektuarve vazhdon të vërehet në vendet evropiane si në Spanjë, Francë, Çeki dhe Holandë. Numri i të infektuarve në nivel botëror ka arritur në mbi 29 milion e 616 mijë, prej të cilëve mbi 20 milion e 114 mijë janë shëruar ndërsa 936 mijë kanë vdekur.
BELINDA KOKA ADEMI
