Promovohen 24 doktorë shkencash

03.11.2014 15:57

Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”, promovoi solemnisht 24 doktorët e rinj të shkencave nga të gjitha veprimtaritë mësimoro- shkencore........

Është privilegj të doktorohet në këtë universitet, i cili edhe më tej është ranguar në vend të parë sipas listës së Shangajit dhe ofron  studime tejet cilësore, u shpreh me këtë rast rektori, Velimir Stojkovski.

“Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”, sot promovon 24 doktorë të rinj të shkencave nga të gjitha sferat, ndërsa doktorantët e rinj paraqesin potencial intelektual, i cili do të kyçet në të ardhmen në zgjidhjen e problemeve shkencore dhe shoqërore”- deklaroi rektori i Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.

Në mesin e doktorantëve ka 6 shqiptarë, të cilët me përkushtim maksimal kanë arritur këtë titull shkencorë. Ata u sugjerojnë të rinjve që të punojnë, sepse vetëm në ketë mënyrë dyert e suksesit janë të hapura.

“Mundi ynë paraqet një rrugë drejt arritjes së qëllimit për gjeneratat e ardhshme, të cilat do t’i kisha lutur të vazhdojnë rrugës së edukimit, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i arrijmë qëllimet kombëtare”- tha doktori i shkencës, Bekim Maksuti.

“Tema ishte veprimtaria penale në dogana, sugjerimi im për gjeneratat e reja është që t’i përkushtohen shkencës në të gjitha sferat e jetës”- u shpreh doktori i shkencës, Naser Ademi.

“Punë dhe vetëm punë asgjë tjetër, vetëm me punë do t’i realizoni ëndrrat tuaja”- theksoi doktori i shkencës, Ekrem Ismaili.

Ky universitet do të punojë edhe më tej në avancimin e kuadrove të reja, ndërsa solemnitetet e tilla janë shndërruar në traditë. (Flutura Latifi, TVM2)