Maqedoni
Athinë, konferenca e “The ekonomist”. Zaev: Të përkushtuar drejt BE-së. Rama: Të ecim përpara duke mbyllur hendeqet
16.09.2020 18:19
Mbyllja e kontesteve dypalëshe dhe investimi në marrëdhënie të mira fqinjësore...

Mbyllja e kontesteve dypalëshe dhe investimi në marrëdhënie të mira fqinjësore, u dëshmua se janë të domosdoshme dhe japin fryte në avancimin e procesit eurointegrues.
Rasti i Maqedonisë së Veriut u prezantua si shembull konkret nga kryeministri, Zoran Zaev, në konferencën e organizuar nga magazina “Ekonomist”, që u mbajt në Athinë.
Në këtë proces, Maqedonia e Veriut pret përkrahjen më të madhe nga vendet fqinje, si Greqia dhe Bullgaria. Njëkohësisht, inkurajoi vendet fqinje, të cilët kanë çështje të hapura që të zgjidhin me dialog dhe tolerancë.
“Rezultati në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut dëshmoi se qytetarët dinë të shpërblejnë politikanët që marrin vendime të vështira, por me rëndësi të posaçme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve. Duhet vullnet i fuqishëm politik që të zgjidhen çështje delikate dhe ky është mesazh inkurajues për Ballkanin perëndimor. Shpresoj që arritjet tona, marrëveshja me Greqinë dhe Bullgarinë janë mjaftueshëm inspiruese për liderët e rajonit që t’i përkushtohen paqes dhe stabilitetit. Të përforcojmë bashkëpunimin rajonal dhe t’i qëndrojmë deri në fund të përkushtuar në eurointegrimet.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi rëndësinë e dialogut si të vetmen rrugë që rajoni të gjejë paqe, duke zgjidhur çështjet e mbartura. Theks të veçantë vuri mbi çështjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe dialogun Serbi-Kosovë.
“Ne nuk kemi një alternativë tjetër veçse të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Jo sepse na e kërkojnë miqtë e fuqishëm, por sepse kjo është një kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm dhe është ëndrra e etërve tanë. Në Ballkanin Perëndimor, prej kohësh jemi përfshirë në një bashkëpunim. Edhe pse ka çështje të tilla si mos njohja e Kosovës nga Serbia, ne kemi qenë në gjendje të ulemi dhe të diskutojmë të ardhmen tonë bashkë. Besoj se ka potencial për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës. Mendoj se lajmi më i mirë është që mosmarrëveshjet mund të zgjidhen bashkërisht dhe dialogu është i vetmi instrument.” – deklaroi Rama.
Ndërkohë deputeti dhe ish ministri i jashtëm grek, Xhorxh Katrugalos, është optimist për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
“E kemi çuar përpara dialogun me kryeministrin, Rama dhe kemi qenë shumë afër një pakete zgjidhjesh për të gjitha çështjet, përfshirë zonën detare. Kuptohet se kemi ende çështje për t’i punuar rreth pakicës sonë historike atje, çështjes së pasurisë, vetëvendosjes, por jam i bindur se vullneti i mirë i kryeministrit Rama do ketë rol thelbësor, që duke punuar me Qeverinë aktuale të gjendet një zgjidhje e drejtë” – tha Xhorxh Katrugalos - deputet dhe ish ministër i jashtëm.
Në delegacionin qeveritar morri pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Ky i fundit pati takimin e tij të parë zyrtar si kryesues i politikës së jashtme të vendit, me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
SHPËTIM NUREDINI
