Botë
Paqartësi rreth temave që do të diskutohen në dialogun Kosovë – Serbi
17.09.2020 10:03
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të zhvillojnë sot takime në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian....

Kësaj radhe takimet zhvillohen në nivel të ekspertëve ndërsa pas dhjetë ditëve pritet të ketë edhe një takim në nivel të lartë me praninë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Edhe para nisjes së këtij raundi të dialogut ka pasur paqartësi rreth asaj se cila do të jetë tema kryesore në rend dite.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka porositur se të enjten do të diskutohet për pretendimet financiare ndërsa në ditët e ardhshme edhe për çështjet e lidhura me aranzhimet për komunitetin joshumicë.
Prapa termit “aranzhimet për komunitetet joshumicë” qëndron çështja e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Marko Gjuriq, duke nënvizuar se për Serbinë tema kryesore është zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Edhe sa i përket pretendimeve financiare dhe pronësore palët kanë qëndrime shumë të ndryshme. Kosova këtu synon që të përfshihen edhe dëmet e luftës ndërsa Serbia kërkon të jenë temat që kanë të bëjnë me pronësinë private të serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë më 16 shtator se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.
Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.
kryeministri Hoti ka thënë të mërkurën se në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por për çështjen e obligimeve financiare mes dy vendeve, që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.
Burimet diplomatike në BE kanë thënë se kundërshtimet në Kosovë ndaj diskutimit të disa temave në dialog e kanë vështirësuar pozitën e delegacionit të Kosovës, sidomos për zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova insiston se kjo marrëveshje, sikur edhe ato që do të arrihen ndërkohë, mund të jenë vetëm pjesë e një marrëveshjeje finale, e cila nënkupton njohjen e ndërsjellë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.
Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të një takse që autoritetet e Kosovës kishin vënë në mallrat serbe.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 7 shtator, tri ditë pas takimit që kanë pasur të njëjtit në Uashington.
