Maqedoni

Fushata mediatike e VMRO-DPMNE-së, LSDM: Hetimi tregon se asgjë nuk ka ndryshuar

17.09.2020 15:26

Zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstandinov, ka akuzuar VMRO-DPMNE-në...

Zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstandinov, ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se ka harxhuar qindra mijëra euro për reklamim parazgjedhor në mjetet e informimit, portalet informative, si dhe në rrjetet sociale.
 
Sipas tij, është e dyshimtë se si ka mundur opozita t’i sigurojë këto mjete që ndau për reklamim në disa media të cilat nuk janë as të regjistruara, e as që kanë redaksi apo të punësuar. Sipas Konstandinovit, kjo praktikë e VMRO-së ripërsëritet në çdo cikël zgjedhor.
 
“Për fushatën e Gordana Siljanovskës, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Hristijan Mickovski, e pat mbyllur faturën me 400 mijë euro borxhe, e cila është në kundërshtim me nenin 71 të Ligjit për Zgjedhje. Por, edhe për këtë fushatë opinion është i njoftuar për kompanitë e Orce Kamçevit. Por, edhe në të kaluarën, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga shefi i Mickovskit, që tani është në arrati, Nikolla Gruevski ka lënë borxhe për reklamime parazgjedhore në vlerë prej 3 milion eurove.”,- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstandinov.
 
Konstandinov përmendi edhe hulumtimet e mediave sllovene të cilat kohë më parë publikuan disa shkrime me dyshimet se VMRO-DPMNE u ndan mediave të ndryshme mjete financiare nga Hungaria e të cilat kapin vlerën e 2,5 milion euro. 
 
FITIME KRYEZIU