Tetovarët kundër vendimit të qeverisë për “Jugohromin”

03.11.2014 17:03

Pas vendimit të qeverisë për t’i dhënë afat shtesë prej dy vitesh Fabrikës “Jugohrom”, që të vendosë filtra për pastrimin e ajrit, qytetarët e Tetovës shprehen mjaftë të revoltuar........

Ata thonë se nëse qeveria nuk e tërheq vendimin, do të dalin në protesta për ta kundërshtuar këtë vendim.

“Kjo duhet të mbyllet ose t’i vihen filtra, në qoftë se nuk i vihen, atëherë duhet të ngrihemi të gjithë në protesta para qeverisë”- u shpreh një qytetar.

“Ajri nuk është i pastër aspak, unë jam me frymëmarrjen i sëmurë, vendimi i qeverisë është i gabuam, prej kur nuk i kanë vënë filtrat, pse si kanë vënë më”- theksoi një qytetar.

“Unë mendoj se përderisa qeveria nuk e merr si më serioz shqetësimin e qytetarëve për ndotjen e ajrit, kjo nuk do të rregullohet. Qeveria duhet ta marrë këtë më seriozisht, siç e dimë të gjithë, nuk është diçka sekondare, por është diçka primare për jetën e njeriut”- tha një student.

Arianit Xhaferi nga Shoqata “Eko Gerila”, thotë se vendimi që “Jugohromit” t’i jepet një leje tjetër dyvjeçare pa mos i vënë filtrat, është zhgënjyes.

“Ne si shoqatë kemi për qëllim tash të vazhdojmë të rrisim sensibilizimin e njerëzve, sepse shumë njerëz nuk janë të informuar se për ç’farë ndodh, nuk i dinë rreziqet reale të kësaj loje të fëlliqur, nuk e dinë se me ç’farë probleme shëndetësore do të përballen. Brenda disa viteve, puna jonë e radhës është të vazhdojmë të informojmë sa më shumë njerëz, të koordinojmë punë me shumë  shoqata tjera, me qëllim që të kemi një impakt më të madh”- tha Arianit Xhaferi nga Shoqata “Eko Gerila”.

Nga Shoqata “Eko Gerila” po ashtu theksojnë se vendimin do ta hedhin në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet ta mbrojë zbatimin e kushtetutës, duke përkujtuar gjykatën dhe Ministrinë e Ambientit se neni dyzet e tre i kushtetutës u garanton qytetarëve ambient të pastër jetësor dhe se nuk do të lejojnë që kjo e drejtë kushtetuese dhe elementare t’u mohohet qytetarëve. (Miftar Emini, TVM2)