Maqedoni

Memorandumi bullgar, Osmani nuk pret shtyrje të negociatave me BE-në. Milloshovski: Kuvendi t’i kundërpërgjigjet Bullgarisë. Kostadinov: Nuk besoj në pengesa në rrugëtimin europian

17.09.2020 17:13

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, nuk pret të ketë bllokim dhe shtyrje të mbledhjes...

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, nuk pret të ketë bllokim dhe shtyrje të mbledhjes së parë ndërqeveritare me BE-në, të parashikuar për në dhjetor, pas publikimit të memorandumit që Bullgaria ua ka dërguar vendeve anëtare të BE-së lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Sipas tij, për këtë tashmë është miratuar vendimi.
 
“Po, Bullgaria bëri vërejtje të njëanshme duke e prezantuar qëndrimin e saj, por miratoi vendimin për fillimin e negociatave, pjesë e të cilave është mirëmbajtja ndërqeveritare në konferencë. Nuk duhet të imponohet dinamikë e presionit negativ. Tani është koha për të vendosur një komunikim të mirë intensiv në nivelin politik, por edhe në Komision.”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
 
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, tha se kuvendi do të duhej t’i kundërpërgjigjet Kuvendit bullgar. 
 
“Mendoj se Kuvendi do të ishte mirë si kundërpërgjigje ndaj Kuvendit bullgar të miratojë një deklaratë të përbashkët në të cilën identiteti i popullit maqedonas, gjuha maqedonase dhe të gjitha tiparet e tjera kulturore dhe kombëtare do të afirmoheshin.”,- u shpreh Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM thonë se gjithmonë i kanë dhënë mundësi dialogut, përfshirë edhe kontesteve më të vështira, por nuk besojnë se kjo të jetë pengesë gjatë integrimit evropian. 
 
“Unë prej këtu jam maqedonas, prej këtu flas maqedonisht, ju parashtroni pyetje në gjuhën maqedonase dhe gjithsesi në përputhje me marrëveshje të pranuara nga e gjithë bota. Unë sinqerisht jam i bindur se pengesë në rrugën tonë integruese nuk do të jenë mosmarrëveshjet bilaterale në këtë rast me Republikën e Bullgarisë.”,- u shpreh Kostadin Kostadinov nga LSDM.
 
Në dokumentin e hartuar, Bullgaria kërkon mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së që “Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të përfshihet në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, teksa konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas”.
 
NAIM RAMADANI