Maqedoni
Takimi Osmani - Cakaj në Shkup, “nuk kemi çështje të hapura, fokusi në ekonomi”
17.09.2020 18:00
Nuk ka çështje të hapura politike mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë...

Nuk ka çështje të hapura politike mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por dy shtetet duhet të fokusohen në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ky është konstatimi që doli nga takimi dypalësh mes ministrit të punëve të jashtme, Bujar Osmani, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Genc Cakaj.
Është dakorduar formimi i sekretarit teknik që do të jetë garanci institucional për implementimin e të gjitha marrëveshjeve, ndërsa në fokus të bisedimeve në takimin e ardhshëm do të jetë zhvillimi i disa projekteve konkrete, theksoi Osmani.
“Vlerësuam raportet e përafërta bilaterale të cilat nuk kanë çështje të hapura, por në fakt vetëm mundësi për t’i begatuar me projekte konkrete, për t’i përafruar ato në të gjitha sferat e jetës dhe ne u dakorduam që duhet të krijojmë mekanizma implementues dhe ndjekës të marrëveshjeve që janë nënshkruar mes dy vendeve tona, me qëllim që ata t’i bëjmë më efektive, më praktike, më të prekshëm për njerëzit dhe qytetarët.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Cakaj u shpreh se prioritet i Shqipërisë është zgjidhja e çështjeve të së kaluarës, pasi që nga kjo varet edhe anëtarësimi i vendeve ballkanike në BE.
“Sa i përket Shqipërisë, mbyllja e të gjitha çështjeve dypalëshe dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal është tepër i rëndësishëm për të forcuar prosperitetin e rajonit në përgjithësi dhe realisht për të përmbushur një prej kërkesave për anëtarësim në BE. Siç e dini, në pakon e zgjerimit nga Komisioni Evropian në shkurt të 2018, mbyllja e dy temave që rëndojnë në agjendën dypalëshe është element i rëndësishëm në BE.”,- tha ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Genc Cakaj.
Osmani dhe Cakaj u shprehën se sfida që kemi përballë është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për të këmbyer përvojat në mënyrë që anëtarësimi i Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE të jetë më i lehtë.
SANIJE DURAKU
