Maqedoni

Industria e prodhimit të kanabisit, kërkohen ndryshime ligjore

17.09.2020 18:15

Shoqata e Prodhuesve të Kanabisit Mjekësor "Mak kanabis", kërkon ndryshime...

Shoqata e Prodhuesve të Kanabisit Mjekësor "Mak kanabis", kërkon ndryshime dhe miratim të shpejt të Ligjit për Lëndë Narkotike, me çka do të mundësohej eksporti i lules së kanabisit edhe jashtë vendit.
 
Përfaqësuesit e kësaj shoqate para Kuvendit theksuan se përpos benefiteve ekonomike që do t’i ketë shteti, kjo legjislaturë duhet të ndjek edhe trendet e fundit botëror që kanë të bëjnë me këtë industri.
 
“Ligjvënësit duhet që sa më shpejt t'i qasen miratimit të ndryshimeve në këtë ligj dhe të miratojnë të gjitha aktet nënligjore për të mundësuar që kjo industri që është atraktive për investime, të funksionojë.”,- tha Kostadin Dukovski nga Shoqata “Mak Kanabis”.
 
Kjo industri, e mundësuar nga Kuvendi, katër vjet më parë lejon prodhimin, por jo edhe eksportin, gjë që ka bllokuar industrinë dhe zhvillimin e punimeve të reja shkencore në lidhje me kanabisin.
 
“Ne kemi humbur disa vite në investime në këtë industri, ndërsa tani shumë rëndë është të investohet. Industria ka zhvillim, por ka edhe humbje të mëdha. Kemi investuar, por nuk mund të kultivojmë kanabis, sepse nuk kemi ku ta plasojmë. Duhet t’i ruajmë vendet e punës dhe në këtë mënyrë të ruajmë edhe licencën. Kuvendi duhet t’i ndjek edhe zhvillimin e trendeve botërore të kësaj industrie. Ky prodhim është shumë i nevojshëm për tregun botëror dhe kërkesa gjithnjë është në rritje. Gjermania madje e ka regjistruar edhe si ilaç.”,- theksoi Zlatko Keskovski nga Shoqata “Mak Kanabis”.
 
Ndryshimet ligjore kjo shoqatë i kërkoi edhe nga përbërja e vjetër parlamentare, ndërsa theksuan se do të vijojnë takimet me të gjitha grupet parlamentare të kësaj legjislature në mënyrë që t’i bindin të gjithë se ndryshimet të ligjit janë më se të nevojshme.
 
ZEKIRIJA MEXHITI