Botë
Covid-19, 3 viktima në Kosovë, 4 viktima në Shqipëri. OBSh: Përhapja e Covid-19 është alarmante
17.09.2020 19:06
Shifra në ulje vijnë nga Kosova. Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve...

Shifra në ulje vijnë nga Kosova. Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 3 të vdekur nga COVID-19.
Nga 664 mostra të marra 43 raste rezultojnë pozitive. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 239 pacientë. Ndërkohë, në Shqipëri janë regjistruar 132 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit dhe 4 vdekje.
“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 173 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 66 vjeçare nga Kukësi, një 69-vjeçar nga Kurbini, një 70 vjeçar nga Elbasani dhe një 72 vjeçar nga Tirana.”,- deklaroi Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar “për shkallë alarmante të përhapjes” së koronavirusit në gjithë Evropën. Të 53 shtetet anëtare të OBSH-së në Evropë kanë regjistruar gati 5 milionë raste me koronavirus dhe më shumë se 227,000 vdekje të lidhura me të.
“Numri i rasteve të këtij muaji duhet të shërbejë si zile zgjimi për qeveritë evropiane. Numri i rasteve ditore të infektimit në Evropë është aktualisht në mes të 40,000 deri në 50,000, ndonëse edhe numri i testimeve në disa shtete është rritur në mënyrë të dukshme.”,- u shpreh drejtori për Evropë i kësaj organizate, Hans Kluge.
Deri më tani është raportuar për gati 30 milionë persona të infektuar me këtë virus në gjithë botën. Prej tyre, më shumë se 939,000 kanë vdekur.
OBSH-ja po ashtu u ka bërë thirrje shteteve që të mos zvogëlojnë periudhën e karantinës për ata që mund t’i jenë ekspozuar koronavirusit në më pak se 14 ditë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
