Maqedoni

Mësimi nga distanca, Qeveria prezantoi platformën online

18.09.2020 15:41

Nëpërmjet orës mësimore të informatikës u prezantua platforma për mësim online....

Nëpërmjet orës mësimore të informatikës u prezantua platforma për mësim online, e cilësuar nga ekzekutivi si inovative, argëtuese, stabile dhe funksionale. Platforma përpos komunikimit audio-vizual të mësimdhënësit me nxënësit mundëson këmbim të materialeve dhe testim të njohurive të nxënësve. Ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska, tha se mësimdhënësit në mënyrë kreative do të komunikojnë me nxënësit.
 
“Platforma nacionale do të jetë më shumë se zëvendësim i mirë i mësimit tradicional. Nxënësit nëpërmjet kompjuterit, telefonit, do të mund ta shohin klasën dhe mësimdhënësin dhe mësimdhënësi t’i shohë ata. Nxënësi do të mund t’i shfrytëzojë të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë dhe t’i bëjë detyrat e shtëpisë. Mësimi nuk do jetë i mërzitshëm pasi do të ketë kuize dhe teste të shpejta. Nxënësit do të mund të propozojnë ndryshim të platformës.”,- deklaroi ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
Carovska: 40 mijë fëmijë nuk mund të ndjekin mësimin online
 
Por, rreth 40 mijë fëmijë për shkak të mungesës së IT - pajisjeve, nuk do të kenë mundësi të shfrytëzojnë këtë platformë, bëri të ditur Carovska. 
 
“40 mijë fëmijë në vend mendohet se nuk do të kenë IT - pajisje që do të mund t’i shfrytëzojnë në kushte shtëpiake dhe kjo është gjendje që e kemi gjetur dhe nuk mund të zgjidhet brenda një muaji, prandaj për të gjithë ata fëmijë do të kemi orë që do të prezantohen në televizionin nacional në kanalet që tanimë janë siguruar dhe nëpërmjet tyre do t’i marrin informacionet që duhej t’i merrnin në shkollë. Ndërsa shkollat do t’u printojnë materiale dhe do t’ua dërgojnë në shtëpi dhe anasjelltas, dhe këta fëmijë po ashtu do të notohen.”,- u shpreh ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se qeveria mbështet plotësisht zbatimin e këtij procesi të mësimit nga distanca, pasi që e ardhmja i takon dixhitalizimit dhe inovacioneve.
 
“Është sfidë e madhe që të niset viti shkollor në këtë formë me resurset që kanë pasur shkollat. Kjo përvojë do të na udhëzojë se si duhet vepruar më tej, me kohë të planifikojmë investimet në arsim. Gatishmëria e institucioneve dhe sistemit arsimor për ndryshime është dëshmi për një përkushtim të fuqishëm drejt qëllimeve afatgjate për arsimim cilësor dhe inovativ.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Platforma dixhitale është përpunuar nga ekspertë vendas në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe do të jetë në dispozicion në 5 gjuhë. Në zhvillim e sipër janë trajnimet e 1600 mësimdhënësve të cilët njohuritë e tyre do të duhet t’i bartin në shkolla.
 
MERAL ISMAILI