Përfundoi mbrëmë në Dibër festivali i teatrit
Mbrëmë, në natën e fundit të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, para publikut dibran u paraqit Trupa e Baletit të Kosovës me pjesën “Dasma”........

Me koreografi të realizuar nga Mehmet Ballkani, “Dasma” ishte një befasi e këndshme, një qershi mbi tortë në përmbyllje të festivalit “Teatrit Shqiptar në Maqedoni”. Performanca e Baletit të Kosovës u ndoq me vëmendje të madhe nga publiku, i cili shpesh tha se “nuk do të mendonim kurrë që do të shikonim një Trupë Baleti nga Kosova me një nivel artistik kaq të lartë”.
Pas shfaqjes së baletit, juria, në përbërje të Ilir Ajdinit, Rajmonda Bulkut dhe Elmaze Nuraut ndanë çmimet e festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni” dhe atë:
1. Çmimi “Aktori jo/protagonist” iu nda Shkëlqim Islamit nga Teatri i Kumanovës.
2. Çmimi “Aktorja jo/protagoniste” iu nda Linda Shabanit nga Kumanova.
3. “Aktori më i mirë” u zgjodh Sotiraq Bratko nga Teatri “Andon Zako Çajupi”-Korçë.
4. “Aktorja më e mirë” u zgjodh Zamira Kita nga Teatri “Andon Zako Çajupi”-Korçë.
5. Çmimi “Sulejman Pitarka”(“Shfaqja më e mirë”) iu nda shfaqjes “Mbledhje në Parlament” të artistëve nga Kumanovë.
6. Çmimi “Sulejman Pitarka”-“Regjisori më i mirë” iu nda Qëndrim Rijanit nga Korça.
Gjatë mbylljes së festivalit, krahas drejtorit të festivalit, përshëndetën edhe dy kryetarët e dy Dibrave, Ruzhdi Lata dhe Ilir Krosi. (Atli Dema, TVM2)
