Maqedoni

Përdorimi i shqipes në Kuvend, ASh-AAA: Trupat e Kuvendit nuk e zbatojnë ligjin

18.09.2020 17:00

Aleanca për Shqiptarët akuzon kryetaren e Komisionit për Arsim...

Aleanca për Shqiptarët akuzon kryetaren e Komisionit për Arsim, Zhaklina Llazarevska, se nuk po respekton Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Përkatësisht, nuk ua siguron deputetëve shqiptarë materialet edhe në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, një ditë më parë, deputetët e ASH-së kanë braktisur seancën e Komisionit dhe nuk kanë mbrojtur as amendamentet që kishin propozuar rreth projektligjeve për arsim fillor dhe arsim të mesëm. 
 
“Kjo gjë nuk mund të tolerohet dhe kërkojmë përgjegjësi nga ana e kryetares së Komisionit, sepse ajo në fakt, në mënyrë eklatante, e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe. 11 amendamente me kaq tekst, maksimum janë dy faqe word. S’ka më shumë. Po të kishte vullnet të mirë nga ana e kryetares së Komisionit, unë vetë do të kisha marrë iniciativën t’i përktheja, për jo më shumë se 30-40 minuta, ju garantoj, por s’kishte vullnet.”,-  deklaroi deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
 
Deputetët e Koalicionit ASh-Alternativa do të kërkojnë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që të rikthejë, edhe një herë, në komisionin amë dy projektligjet në fjalë që deputetët e koalicionit ASH-Alternativa, si propozues të amendamenteve, të marrin pjesë në seancë dhe të mbrojnë ato. Nëse kjo nuk ndodh, paralajmëruan masa juridike ndaj Llazarevskës për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
 
Ndryshe, Koalicioni ASH-Alternativa konsideron se propozimi i Ministrisë së Arsimit e centralizon skajshmërisht arsimin, pasi të gjitha kompetencat i kalojnë qeverisë, prandaj ka parashtruar 11 amendamente me të cilat pretendojnë përfshirjen edhe të qeverisjes lokale në vendimmarrje. 
 
SHPËTIM NUREDINI