Maqedoni
Zaev: Masa për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve
18.09.2020 17:18
Mbështetja e konsumit privat dhe bizneseve së bashku me të punësuarit janë dy masat ekonomike të radhës që do t’i ofrojë Qeveria...

Mbështetja e konsumit privat dhe bizneseve së bashku me të punësuarit janë dy masat ekonomike të radhës që do t’i ofrojë Qeveria për qytetarët. Kryeministri Zaev tha se në masën e parë përfshihen qytetarët e rrezikuar ku do t’u jepen sërish vauçerë, ndërsa në masën e dytë do të mbështetet ruajtja e vendeve të punës. Kryeministri sqaroi se ndihma e bizneseve do të bëhet duke përllogaritur përqindjen e goditjes që ka përjetuar një biznes.
“Këtu përfshihen të gjithë qytetarët e prekur social, e ata janë përveç kërkuesve pasiv të punës, pensionistët me pension më pak se 15 mijë denarë, prindërit që kujdesen vet për fëmijët, punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, rastet sociale e qytetarët e varfër. Sa i përket mbështetjes së dytë, i shqyrtojmë të gjitha aspektet për ndihmën e mëtutjeshme, përmes masave që dhanë rezultate. Do të startojmë diku me 14.500 denarë që do të vlejë për kompanitë e goditura 30 për qind, ndërsa më e madhe për ata që janë të goditura 40, 50, 60 ose 100%, e gjithë kjo që të krijojmë barazi.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev: Subvencione do të ketë për të gjithë
Zaev sqaroi se po shqyrtohet edhe çështja e detyrimeve parafiskale, shtyrja e disa tatimeve, por gjithashtu do të ketë edhe një masë të re për ndihmë ekonomike shtesë për kthimin e punëtorëve që janë larguar nga puna. I pyetur rreth paralajmërimit të zëvendëskryeministrat, Artan Grubi, se do të subvencionohen punësime të shqiptarëve në sektorin privat, kryeministri Zaev tha se do të subvencionohen punësimet e të gjitha grupeve dhe kategorive ku përqindja e papunësisë është e lartë.
“Subvencione do të ketë për të gjithë, për të gjitha bashkësitë etnike, për të gjitha iniciativat, qasja rajonale do të vazhdojë, do të shohim përmes rajoneve dhe nevojës për punë të kualifikuar, por edhe në motivimin e qytetarëve të kualifikohen për nevojën e tregut, një pjesë të shkojë përmes masave të Agjencisë për Punësim, e dyta përmes procesit edukativ që të prodhojmë kuadro të cilët në të ardhmen ta kenë më lehët kërkimin e punës.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Qeveria do të vazhdojë me qasje të barabartë, tha Zaev, i cili theksoi se partnerët e koalicionit kanë një program të përbashkët, me hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
SANIJE DURAKU
