Maqedoni
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, qytetarët vazhdojnë protestat
18.09.2020 17:47
Vazhdojnë protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të cilat përveç në qytete të mëdha...

Vazhdojnë protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të cilat përveç në qytete të mëdha, tanimë janë shtrirë edhe nëpër komuna. Këtë herë u protestua në Zhelinë, Bogovinë, Bërvenicë dhe Tearcë. Protestuesit përsëritën kërkesat për uljen e çmimit të energjisë elektrike, shpërbërjen e Komisionit Rregullator, uljen e TVSh-së për energjinë elektrike dhe faljen e borxheve të familjeve të varfra.
“Pas shumë protestave në Tetovë, Shkup, Kumanovë, Gostivar Dibër, Kërçovë e Strugë, jemi shpërndarë sot nëpër komuna, për t`iu thënë atyre që na vjedhin se nuk nënshtrohemi. Nuk kemi para të tepërta për t`iu dhënë, nuk jemi thes i hapur nga ku mund të merrni sa të doni e kur të doni. Kërkesat tona legjitime dhe të drejta, nuk duhet të hasin në vesh të shurdhër, mos u bëni sikur nuk dëgjoni, sikur nuk dini se çfarë po ndodhë sepse do t’u kthehet bumerang.”,- u tha nga Këshilli Organizativ i Protestës.
Protestuesit shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave.
“Ne do të vazhdojmë me protesta.”,- theksoi një protestues.
“Do të vazhdojmë deri në pikën e fundit, përbesë janë duke na djegur, nuk kam koment. Duhet të bëhet më mirë, më lirë çmimi i energjisë, të largohet TVSH-ja.”,- tha një protestues.
Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike janë paralajmëruar për në orën 19 edhe në Shkup. Organizatorët e protestës nuk e përjashtojnë mundësinë e padëgjueshmërisë së qytetarë me mospagesë të faturave nëse nuk u plotësohen kërkesat. Ndërsa Komisioni Rregullator i Energjisë është dakorduar ta rishqyrtojë vendimin vetëm për rastet sociale.
VISAR SADIKI
