Botë
Nuredini: Prioritet ballafaqimin me ndotjen e ajrit
18.09.2020 17:53
Ballafaqimin me ndotjen e ajrit, përparimin e menaxhimit me mbeturinat dhe ujërat e zeza...

Ballafaqimin me ndotjen e ajrit, përparimin e menaxhimit me mbeturinat dhe ujërat e zeza, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe biodiversitetin, si dhe sigurimin e ujit të pastër për të gjithë, janë prioritetet në të cilat ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, do të punojë në katër vitet e ardhshme. Angazhohemi maksimalisht që t’i përmirësojmë standardet ekologjike nëpërmjet harmonizimit të legjislacionit tonë, implementimit të principeve të “Kontratës së Gjelbër” të Bashkimit Evropian dhe konventave ndërkombëtare, tha Nuredini.
“Tanimë janë përgatitur dhe do të dorëzohen në afat të shkurtër kohor në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Kualitetin e Ajrit të Ambientit, me të cilat bëhet transpozimi i legjislacionit evropian në aspektin e obligimeve të komunave për përgatitjen dhe implementimin e planeve për cilësinë e ajrit, si dhe janë paraparë masa konkrete obligative në nivel lokal dhe shtetëror në drejtim të menaxhimit gjatë paraqitjes së koncentrimit të lartë të substancave ndotëse në ajër. Gjithashtu janë përgatitur edhe ndryshimet e Ligjit për mjedis jetësor.”,- tha ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini.
Nuredini po ashtu theksoi se në fushën e menaxhimit me mbetjet tanimë janë realizuar debatet dhe ka përfunduar procesi i konsultimit publik për 6 ligjet e reja për menaxhim me mbetjet, me të cilat parashikohet avancim i selektimit primar të llojeve specifike të mbetjeve nga automjetet, gomat, vajrat dhe tekstili, parashikohet ndalimi i qeseve të lehta plastike, rriten synimet e riciklimit dhe zbatohen parimet e ekonomisë rrethore. Po ashtu ministri theksoi se mbrëmë është publikuar Propozim-Ligji për shpallje të një pjese të Malit Sharr për park nacional sipas të cilit në 30 ditët e ardhshme do të mund të dorëzohen komente dhe do të realizohen 4 debate publike.
LEUNORA KALIQI
