Arkat me GPRS, harxhime shtesë për biznesin
Kasat fiskale me GPRS, i vunë në siklet biznesmenët dhe kompanitë në vend........

Nga bizneset e mesme dhe të vogla ankohen ndaj vënies së obligueshme të kasave fiskale me GPRS. Edhe pse afati për vënien e kasave të reja me GPRS skadoi para 3 ditësh, shumë pronarë akoma nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëjnë me kasat e vjetra fiskale, me të cilat janë pajisur në të kaluarën. Ata janë të mendimit se ky investim është ngarkesë shtesë për sektorin privat, i cili, sipas tyre, nuk sjellë asgjë të mirë për zhvillimin e bizneseve në vend. Rrallëkush prej tyre sot punonte me kasat e reja të pajisura me GPRS, që janë të obligueshme nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
“Kjo është një shpenzim shtesë për ne, shpenzim i tepërt, sepse ne veç më i kemi paguar këto kasa fiskale dhe tani përsëri duhet t’i blejmë. Shumë na brengos ajo se pse nuk mundet kasat fiskale që i kemi për momentin, atyre t’i vendosim GPRS”- u shpreh një pronar.
“Ka vetëm 3 muaj që i kemi blerë këto kasa fiskale dhe tani na kanë thënë se përsëri duhet të paguajmë për kasë fiskale me GPRS 12 e diçka denarë. Se di edhe kështu ne nuk kemi punë të mjaftueshme, shumë pak kemi përfitime, ndërsa nga ana tjetër tani kemi shpenzime të tjera dhe kjo do të na shkaktojë probleme”- tha një pronar.
“Ne deri më tani i kemi pasur kasat fiskale të vjetra, tani me këto të rejat se di çfarë do të ndodhë”- theksoi një pronar.
Të këtij mendimi janë edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Veri-Perëndimore të Maqedonisë. Ata janë kundër ndaj çdo veprimi, i cili detyron biznesin privat të futet në shpenzime shtesë. Sektori privat ka nevojë për treg më të volitshëm, thanë nga OEMVP.
“Këto kasa fiskale i ngarkojnë biznesmenët me shpenzime shtesë. Por, biznesit i duhet një treg më stabil, i duhet mosshkuarje me tendencë në kontrolle e inspektorëve të ndryshëm, të cilët fatkeqësisht shpesh ndodh të kenë urdhra vetëm për t’i dënuar bizneset, por biznesit i duhet stabilitet dhe i duhet likuiditet financiar, mbi të gjitha biznesit i duhet kosto më e ulët e kredive të ndryshme, të cilat i ofrojnë bankat”- deklaroi Arben Halili nga OEMVP.
Kasat fiskale me GPRS mundësojnë evidencë të drejtpërdrejt deri tek të gjitha transankcionet e kompanive, përfshirë këtu edhe të gjitha lëvizjet financiare të shitjes, blerjes dhe furnizimin e mallrave.
Kjo do të thotë se Drejtoria e të Ardhurave Publike në çdo kohë mund të ketë qasje të lirë për përfitimin e çdonjërës kompani.
Afati i fundit për vënien e arkave fiskale me GPRS skadoi më 31 tetor dhe sipas të dhënave, deri më tani këtë obligim e kanë plotësuar 3.958 kompani, ndërsa 5 mijë të tjera akoma nuk e kanë filluar procedurën.
Të gjitha firmat që nuk do ta respektojnë këtë ligj, do të dënohen me masën e përkohshme-ndalesë për kryerjen e veprimtarisë dhe gjobë në para për personat juridik dhe personat përgjegjës. (Rexhep Qamili, TVM2)