Botë

Aksion i madh policor në Kosovë, arrestohen 33 persona për shkak të kazinove ilegale dhe tregtisë me njerëz, armë dhe narkotikë

19.09.2020 13:00

Policia e Kosovës mbrëmë arrestoi 33 persona, mes të cilëve edhe 10 nëpunës policor...

Policia e Kosovës mbrëmë arrestoi 33 persona, mes të cilëve edhe 10 nëpunës policor,  në një operacion të madh të koordinuar në fshatin Karaçevë të komunës Kamenicë, në Prishtinë dhe vendet tjera, ndërsa menjëherë ishte ndërmarrë edhe aksion për  rrëzimin e dhjetëra kazinove ilegale në Karaçevë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Kosova.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati policor dhe Policia e Kosovës përmes një kumtese për opinionin  informuan se operacioni  është kryer si rezultat i aktiviteteve hetuese njëvjeçare për veprime ilegale,  mes të cilave kazino ilegale, tregti me njerëz, me armë dhe narkotikë, kontrabandim të mallrave dhe aktiviteteve tjera kriminele.

Sipas kumtesës, nëpunësit policor në afatin e parashikuar ligjor do të dalin para gjykatës në procedurën paraprake,  ndërsa gjatë aksionit  janë konfiskuar aparatet e lojërave të fatit, mallra të ndryshëm dhe gjëra për të cilat supozohet  se janë përdorur për aktivitete kriminele.

Ky operacion, thekson Prokuroria në Gjilan, është më i madhi i llojit të tillë në Republikën e Kosovës dhe paraqet shembull të bashkëpunimit mes prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor.

Mediat prishtinase lajmëruan se mes policëve të arrestuar  ka edhe persona pjesëtarë të kombësisë shqiptare dhe serbe. Fshati Karaçevë, ku ishte realizuar aksioni, gjendet në vetë kufirin me Serbinë  dhe u bë aktuale  prejse në fillim të gushtit të këtij viti atje hyri patrulla e pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe.

Ngjarja shkaktoi reagime  në opinion, ndërsa opozita e akuzoi pushtetin  se nuk është e aftë ta mbrojë territorin e shtetit./mia