Botë

Greqi: Stuhia Ianos shkakton përmbytje në shumë qytete

19.09.2020 13:25

Erërat e forta me reshje shiu kanë shkaktuar përmbytje në shumë qytete në Greqinë Perëndimore...

Zonat më të prekura nga cikloni Ianos janë ishujt në jug të Jonit, në Greqinë perëndimore, Greqinë kontinentale dhe Thesali.
 
Në të gjitha zonat të cilat ka prekur cikloni Shërbimi Zjarrfikës ka marrë mbi 2450 thirrje urgjente për ndihmë, ndërsa ka shpëtuar rreth 600 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet.
 
Stuhia, e quajtur Ianos, shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në ishujt e detit Jon të Kefalonia, Zakynthos. Sipas parashikimeve, kushtet klimatike pritet të përkeqësohen dhe deri të dielën moti i keq do të shtrihet nga brigjet perëndimore në ishullin e Kretës.
 
Autoritetet gjithashtu raportojnë për rrezikun e përmbytjes për të paktën 24 orë. Sipas tyre intensiteti dhe vijimi i ciklonit nuk mund të parashikohen me saktësi.
 
Këto ciklone u shfaqën për herë të parë në Greqi në vitin 1995 dhe janë bërë më të shpeshta vitet e fundit. Një stuhi e ngjashme goditi Greqinë në vitin 2018.