Botë

Përhapja e Covid-19 alarmante, vendet evropiane shpallin kufizime të reja

19.09.2020 15:48

Një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se përhapja e Covid 19 është alarmante...

Një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se përhapja e Covid 19 është alarmante, vendet evropiane njoftuan masa të reja kufizuese.
 
Në Spanjë, ku ka mbi 620 mijë raste, më shumë se në çdo vend tjetër evropian, qeveria e Madridit urdhëroi vendosjen e masave të ndalim-qarkullimit në disa prej zonave më të varfëra, pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të atjeshme.
 
Megjithëse do të vendosen masa kufizuese në këto zona, njerëzve do t’u lejohet të shkojnë në punë. Autoritetet në Nisë të Francës kanë ndaluar mbledhjet e më shumë se 10 personave në hapësirat publike, si dhe kanë shkurtuar oraret e funksionimit të bareve, pasi vendosën kufizime të reja këtë javë për Bordonë dhe Marsejën.
 
Britania tha se po shqyrton mundësinë e masave të reja izoluese në mbarë vendin pasi pati pothuajse një dyfishim të rasteve më të fundit, 6 mijë në ditë, të konstatuara gjatë javës së fundit.
 
Izraeli fillon një bllokim të dytë të premten për shkak të një kërcimi të shpejtë nga rritja e numrit të rasteve të koronavirusit. Izraelitët lejohen të udhëtojnë jo më shumë se 500 metra nga shtëpitë e tyre.
 
Përjashtim bëjnë ata që blejnë ilaçe, që kërkojnë shërbime mjekësore. Në Iran, një zyrtar i lartë iranian tha se vendi duhet të jetë në gjendje “të kuqe” gatishmërie pasi raportoi 3,049 raste të reja të premten, rritja më e lartë ditore që nga fillimi i qershorit.
 
Në Amerikën e Veriut, Kanadaja ka vendosur të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Shtetet e Bashkuara për udhëtime jo-thelbësore deri më 21 tetor, pasi ka parë një rritje të infeksioneve në javët e fundit.