Maqedoni

Turizmi në Strugë dhe Ohër, hotelet: S’kishim sezonë këtë vit, punuam dy muaj

19.09.2020 16:28

Sezoni veror këtë vit në Strugë dhe Ohër, ndryshe nga vitet tjera, për shkak të pandemisë, filloi më vonë...

Sezoni veror këtë vit në Strugë dhe Ohër, ndryshe nga vitet tjera, për shkak të pandemisë, filloi më vonë, duke shkaktuar ngecje tek turizmi në këto vende.
 
Hotelierët thonë se ky sezon veror nuk i përmbushi humbjet që kishin muajt e kaluar sepse kanë punuar vetëm me turistë vendor, ndryshe nga vitet tjera ku mbi 80% e vizitorëve janë turistë të huaj. Megjithatë, ata thonë se kartelat turistike të lëshuara nga qeveria kanë ndihmuar për tu rimëkëmbur sado pak turizmi.
 
“Nga 15 korrik kur nisën shfrytëzimi i vauçerëve deri më 15 shtator, dmth dy muaj të plota kemi punuar mirë, sa i përket vauçerëve, shumica e njerëzve kanë qenë me vauçera, mos them 90% e tyre. Tani ka rënë mjaft puna, kemi për fundjav, ose deri diku gjysëm të plota jan hotelet. Për sezoni dimëror është pak vështirë nuk e di se çka mund të bëhet, se sa mund ti përballojm harxhimet me këto dy muaj”, u shpreh pronari i një hoteli Erhan Papraniku.
 
“Ne nuk kishim sezonë këtë vit, për fat të keq, kishim vetëm një muaj punë, i cili nuk mund të përmbush 7 muajt e humbur më parë siç nuk do mund të përmbush muajt e ardhshëm që veçse janë humbur. Ne deri më tani kemi punuar me mbi 80% turistë të huaj dhe ky ishte viti i parë, ndoshta edhe promovues, që turistët vendas të shohin se kemi hotele me të cilat mund të mburremi, jemi të kënaqur se kemi pas komente të mira nga turistët, por që të përmbush diçka në aspektin financiar, absolutisht jo”, theksoi menahxere e hotelit Ana Jançeva. 
 
Për shkak se sezoni u mbyll më herët këtë vit, hotelierët shpresojnë që të kenë mbështetje nga qeveria. Nga shoqata e hotelierive thonë se kanë realizuar mbledhje me ministrinë e ekonomisë, për të përkrahur objekitet gastronomike edhe në muajt e ardhshëm.
 
“Janë mbajtur disa mbledhje me ministrinë e ekonomisë, ku u dhanë disa vendime të cilat duhet të shkojnë deri tek qeveria dhe të jepet vendimi për ndihmën e të gjithë këtij sektori, jo vetëm hotelet, por edhe restorantet, hotelet dhe objektet private dmth kush si i ka paguar taksat, tju jepet një ndihmë”, u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.
 
Pandemia shkaktoi edhe mbyllje të disa bizneseve turistike në Strugë dhe Ohër, të cilët nuk mund të përballonin financiarisht humbjet e sezonës.
 
ILMIJE ZHAKU