Maqedoni
Gazifikohet spitali gjinekologjik Nëna Terez në Çair
19.09.2020 16:50
Spitali Obstetrik Gjinekologjik Nëna Terez në Cair ka përfunduar një sistem krejtësisht të ri...

Spitali Obstetrik Gjinekologjik Nëna Terez në Cair ka përfunduar një sistem krejtësisht të ri të ngrohjes me gaz të lëngshëm. Spitali deri më tani ishte ngrohur me mazut, që sipas ekspertëve ishte nga ndotësit më të mëdhenj në Shkup. Për gazifikimin e spitalit janë investuar 17 milion denarë.
"Spitali në Çair është një institucion që ka një vend shumë serioz në sistemin tonë shëndetësor. Kemi investuar shumë. Në periudhën e kaluar, u punësuan mbi 40 punonjës shëndetësorë, mjekë, infermierë, gjë që rriti kapacitetin e njerëzve që punojnë këtu me 25%. Gjithashtu, është investuar edhe në infrastrukturë", u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
"Edhe gjatë pandemisë në vendin tonë, këto investime kapitale nuk u ndalën. Edhe pse materniteti ynë aktualisht po mbante të gjithë këtë barrë në shpinë dhe ne në përputhje me ministrinë e shëndetsisë dhe kliniken për Gjinekologji dhe Obstetrikë, i ridrejtuam të gjitha lindjet normale për të ardhur këtu edhe për ndërhyrje të tjera", theksoi doktor Bashkim Ismaili.
"Jam i lumtur që jam sot këtu pasi që ky përurim sot është një start fantastik i Qeverisë së re, po japim kontribut për një jetë më cilësore atje ku në fakt nis jeta, kështu që urime për të gjithë ju për projektin e realizuar dhe në veçanti në lagjen time Çair, përgëzojë Komunën e Çairit, falënderoj kontributin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe gjithë atyre që kontribuuan për këtë", u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
"Ky është projekti i parë me të cilin fillojmë, i cili e bën vendin tonë më efikas në energji. Ne do të vazhdojmë të shndërrojmë shumicën e ndërtesave publike në vendin tonë nga përdoruesit e naftës së rëndë në ndërtesa më efikase të energjisë dhe objekte me ekologjike", theksoi ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini.
Si pjesë e instalimeve termoteknike, u ndërtua një rezervuar nëntokësor për gazin e lëngshëm propan butan, një stacion për përgatitjen e ujit të ngrohtë sanitar me një sistem të kolektorëve diellorë me një kazan qendror. Instalimet janë plotësisht të lidhura me rrjetin ekzistues të tubacioneve të ndërtesës.
SEDAT SELIMI
