Maqedoni
Bregu: Samiti i Sofjes, mundësi për zgjidhjen e problemeve. Osmani: Integrimi në BE, interes edhe i Bullgarisë
21.09.2020 13:53
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu...

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, është shprehur optimiste se Bullgaria nuk do të paraqitet pengesë në rrugën evropiane të RMV-së, por edhe të Shqipërisë.
Samitin e Sofjes, Bregu e sheh si mundësi për t’u dhënë zgjidhje problemeve pas memorandumit që Bullgaria ua ka dorëzuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Vazhdoj të besoj që Bullgaria do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e dy vendeve në procesin e euro-integrimit, jo vetëm për faktin se ka qenë e tillë gjithë kohën, por edhe nisur nga një arsye më tepër, sepse Bullgaria i ka më të freskëta edhe kujtimet e vuajtjeve të procesit të integrimit dhe të vështirësive të procesit dhe shpresoj shumë që momenti i samitit të Sofjes të jetë një moment i mirë për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së problemeve.”,- deklaroi sekretarja e përgjithshme e KBR-së, Majlinda Bregu.
Tejkalimin e dallimeve ministri i jashtëm, Bujar Osmani, e sheh në intensifikimin e komunikimit midis dy vendeve, duke u bazuar në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Sipas tij, është interes edhe i Republikës së Bullgarisë që i tërë rajoni të integrohet në Bashkimin Evropian.
“Zgjidhja e vetme është intensifikimi i komunikimit, punë e komisionit ose ndarja e trajektoreve të cilat i përmenda, njëra trajektore ku ekspertët dhe shkencëtarët do t’i tejkalojnë dallimet në interpretimin e historisë dhe politikanët të gjejnë mënyrën për bashkëpunim politik dhe kulturor. Unë mendoj se kjo është zgjidhja pa lejuar që të hyjmë në një qark vicioz të një dinamike negative.”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Në takimin e përbashkët, Bregu dhe Osmani kanë diskutuar rreth forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe perspektivat evropiane të rajonit, duke u përqendruar në sfidat dhe potencialet e Samitit të radhës, që pritet të mbahet në Sofje.
NAIM RAMADANI
