Maqedoni
Rasti "Monstra", gjykimi shkon drejt përfundimit
21.09.2020 14:49
Pas më shumë se 8 vitesh, procesi gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovës...

Pas më shumë se 8 vitesh, procesi gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovës, po shkon drejt përfundimit. Edhe një seancë gjyqësore e ndan rastin e njohur si "Monstra" nga fjalët përfundimtare.
Dëshmitarët e mbrojtjes, Nazif Bushi dhe Sheval Aliti, ishin dëshmitarët e radhës. Nazif Bushi ishte edhe një dëshmitar më shumë që përgënjeshtroi deklaratën e dëshmitarit të mbrojtur në lidhje me fizionominë e të akuzuarit, Sami Luta.
Ai tha se Sami Luta disa ditë para vrasjes së pesëfishtë ka marrë pjesë në një dasmë familjare dhe i ka pasur flokët e shkurta, sikurse që i mban aktualisht, dhe jo të gjata siç e ka përshkruar dëshmitari i rrezikuar.
"Sami Luta jeton në afërsi të Senat Bushit, kushëririt tim të parë, dhe ai ishte prezent në dasmën e tij. Flokët i kishte të ngjashme sikurse tani.",- tha Bushi.
Ndërkohë, Sheval Aliti tha se ditën kritike ka qenë tek liqeni i Smillkovcës.
"Dhjetë minuta pasi që arrita tek liqeni i Smillkovës, erdhi një veturë me dy “Alfa”. Më kujtohet ishte errët, nuk e di saktë se sa ishte ora. “Alfat” na legjitimuan. Deri sa isha aty nuk dëgjova asgjë. Ata na i morën letërnjoftimet dhe na thanë të presim në veturë dhe na informuan se ka vrasje.",- tha Aliti.
Përveç dëshmive verbale, në seancë u prezantuan edhe dëshmi materiale. Për vrasjen e pesëfishtë, që ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012, akuzohen 6 persona, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, që ndodhen në Kosovë, dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Azri, Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykimi për këtë rast po zhvillohet për herë të dytë, pasi që Gjykata Supreme e ktheu lëndën në rigjykim.
FLORIE BELULI KAMBERI
