Maqedoni
Shilegov: VMRO nxit provokimet ndëretnike. VMRO-DPMNE: Vendoset në pikëpyetje funksionimi i institucioneve
21.09.2020 15:08
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, u ka bërë thirrje shkupjanëve...

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, u ka bërë thirrje shkupjanëve, që të mos bien pre e provokimeve të grupeve të tifozëve të cilët fyejnë dhe ofendojnë një etni tjetër, e të cilët grupe, sipas tij, janë të frymëzuara dhe janë të ushqyera nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Sipas Shilegovit, RMV çdoherë kur VMRO-DPMNE-ja është pjesë e opozitës nxiten problemet ndëretnike, duke parashikuar edhe skenare të këqija për Maqedoninë, siç ishte rasti me Platformën e Tiranës apo për përdorimin e dygjuhësisë.
“Çdoherë kur e kemi VMRO-DPMNE-në në opozitë kemi provokime në baza etnike. Ju më mirë se unë e dini se kush të them kushtimisht i kontrollon grupet e tifozëve. Prandaj un e ftoj VMRO-DPMNE-në që ta lëshojë praktikën e deritanishme që të luan me temat e nxehta të qytetarëve vetëm sa për të përfituar ndonjë poen politik, sepse kjo lojë nuk do t’i sjellë përfitime askujt, e as VMRO-DPMNE-së, e cila këto gjëra i ka ushqyer brenda këtyre 15 viteve. Kjo parti edhe më herët ka parashikuar skenare të zeza për vendin, e tani po i pyes ku është Platforma e Tiranës, ku është shpërbërja e vendit nga dygjuhësia, e tani kanë filluar të luajnë edhe me Goce Delçevin dhe Bullgarinë. Por, realiteti ynë është ndryshe, vendi ynë sot është anëtare e NATO-s, do të udhëheqim me Procesin e Berlinit, do t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Por, VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj deklaratës së Shilegovit, duke theksuar se si subjekt nuk qëndrojnë pas grupeve të tifozëve dhe nuk përkrahin përdorimin e gjuhës së urrejtjes, por sipas zëdhënësit të kësaj partie, Naum Stoilkoviq, këtu po vendoset në pikëpyetje funksionimi i institucioneve të cilat nuk merren me rastin, ndërsa nga ana tjetër për tre vite me radhë LSDM në fjalorin e saj e ka gojën plotë “Një shoqëri për të gjithë”.
“VMRO-DPMNE-ja i gjykon dhe nuk përkrah përdorimin e gjuhës së urrejtjes, por ky është një problem më madhor i shoqërisë, i cili vendosë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve të cilat nuk punojnë në preventivë, e nga ana tjetër së paku tre vite plasohen teza për “Një shoqëri për të gjithë”. Ky nuk është as incidenti i parë e as i fundit, të tillë ka pasur shumë, por institucionet duhet t’i sanksionojnë dhe të reagojnë për pamjet e tmerrshme në stadiumet në Çair dhe në Tetovë, ku seriozisht ka përdorim të gjuhës së urrejtjes.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkoviq.
Përplasja mes kreut të Shkupit nga radhët e LSDM-së, Petre Shilegov, dhe VMRO-DPMNE-së, vjen pasi brenda javës në Shkup kishte dy raste të gjuhës së urrejtjes nga ana e grupit të tifozëve “Komitët”, për çka MPB ka njoftuar se ka identifikuar 16 persona.
FITIM KRYEZIU
