Maqedoni
Viti i ri shkollor, Idrizi: Vijon trajnimi i mësimdhënësve, më 1 tetor gati
21.09.2020 15:24
Nga 1 tetori nis viti i ri shkollor për të gjitha nivelet e arsimimit në Maqedoninë e Veriut...

Nga klasa e parë deri në të tretën nxënësit do të nisin vitin shkollor me prezencë fizike, derisa nivelet tjera do të nisin online.
E për zhvillimin e këtij procesi tashmë mësimdhënësit janë duke i përfunduar trajnimet në mënyrë që më 1 tetor gjithçka të jetë gati, shprehet për TVM2 drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi.
“Prej ditës së sotme veç më ka filluar aftësimi ia arsimtarëve për platformën nacionale Microsofte 365 dhe tani edhe në momentin që flasim është duke u zhvilluar trajnimi. Duke marrë parasysh ambicien e arsimtarëve, angazhimin e dëshirën e tyre për ta mësuar këtë platformë që ta përdorin sa më mirë, mendoj se do t’ia dalin dhe gjithë puna do të shkojë ashtu siç duhet.”,- deklaroi drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi.
Sa i përket mësimit me prani fizike të nxënësve nga klasa e parë deri në të tretën, Idrizi siguron se të gjitha masat janë ndërmarrë dhe se procesi do të jetë i sigurt në aspektin shëndetësor.
“Mendoj se do të jetë e sigurt për shkak se nëpër klasa janë bërë ndarjet duke marrë parasysh distancën prej 1.5 metër. I kemi paraparë dy hyrje dhe dalje të nxënësve që do të vijojnë mësimin me prani fizike, është bërë pastrimi i shkollës, dezinfektimi i shkollës.”,- tha drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi.
Propozimi për mësim online vijon të kundërshtohet nga Unioni i Nxënësve të shkollave të mesme. Ata kërkojnë nga qeveria që të sjellë vendim për mësim të kombinuar.
ZEKIRJA MEXHITI
