BDI, Ahmeti takoi ambasadoren amerikane, Bërns
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Bërns...

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga BDI, në takim Ahmeti i ka thënë ambasadores amerikane Bërns se bashkëpunimi i suksesshëm me SHBA-të do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ahmeti dhe ambasadorja e SHBA-ve, Bërns gjithashtu gjatë takimit kanë biseduar edhe mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut sa i takon integrimit euroatlantik, duke përmendur këtu marrëveshjen me Athinën dhe Sofjen si dhe drejtimin e vendit drejt BE-së.
Kreu I BDI-së gjithashtu ka përshëndetur Marrëveshjen e Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë së bashku me njohjen e ndërsjellë midis Izraelit dhe Kosovës si dhe përcaktimin e Hezbollahut si organizatë terroriste.
Ndërsa ambasadorja Bërns ka theksuar se Uashingtoni do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave të nevojshme por shumë të rëndësishme me qëllim mbisundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë të paanshme dhe të pavarurа.
