Maqedoni

Ndryshimet e ligjeve të arsimit deputetët shkëmbyen akuza për mësimin online

21.09.2020 22:03

Kuvendi republikan miroti ndryshimet në ligjin për arsimin fillorë dhe të mesëm....

Me 61 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe 28 “abstenime”, Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor dhe me 61 vota “pro”, një “kundër” dhe 25 “abstenime” miratoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për arsimin e mesëm, me procedurë të shkurtuar. Edhe në këtë temë nuk munguan përplasjet mes pushtetit dhe opozitës.

Deputetët e VMRO–DPMNE–së, të përmbajtur në mbështetjen e ndryshimeve, akuzuan qeverinë se nuk është angazhuar në kohë që mësimi të nis nga shtatori pa diskriminuar asnjë nxënës duke u siguruar kompjuter dhe internet.
 
“Çfarë ka punuar deri më tani qeveria e vjetër - e re, pasi 40 mijë nxënës nuk kanë kompjuterë. Kjo flet për një diskriminim. Vendimet tuaja janë shumë konfuze se sa propozimet tona. Ju ministre, personalisht do të duhej të kërkonit përgjegjësi për gjendjen në arsim.”,- tha Bllagica Llasovska nga VMRO–DPMNE.
 
Edhe deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, e cilësoi si të dështuar mësimin online dhe njëherësh kundërshtoi centralizimin e vendimmarrjes pa konsultuar komunat.
 
“Paraprakisht të merret mendimi edhe nga qeverisjet lokale, sepse ato e dinë më së miri gjendjen nëpër shkolla, problemet me të cilat ballafaqohen shkollat, infrastrukturën e shkollave. A nuk është e moralshme që të merret mendimi prej shkollave?”,- theksoi deputeti i ASH-SË, Halil Snopçe.
 
Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, foli për nevojën e miratimit të ndryshimeve ligjore, ndërkaq paraardhësi i tij, deputeti Arbër Ademi, tha se për nisjen e vitit të ri shkollor është punuar nga mbyllja e shkollave.
 
“Qëllimi i kësaj dispozite është që në mënyrë teknike ta rregullojë vitin shkollor në rrethana të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht vendoset e drejta e mësimit nga distanca. Kjo formë e mësimit mund të jetë e dobishme edhe me modernizimin e sistemit arsimor.”,- u shpreh ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
“Këto muaj nuk është fjetur, por është punuar në përputhje me rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët na ndjekin në çdo hap dhe partnerëve tanë vendor për hartimin e një plani që të prezantohet përpara qeverisë dhe në bazë të atij plani me disa ndryshime të caktuara do të punohet tash.”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
 
Nga LSDM akuzuan opozitën se me kërkesat e tyre dëshirojnë të dështojë viti shkollor. 
 
“Përballemi me pandemi e cila pamundëson të sigurohen pajisjet dhe kjo procedurë mund të zgjasë me muaj. Nëse nisim furnizimin, mund të ndodh që të shtyhet mësimi ose fare mos të nis. Këtë dëshironi ta arrini?”,- tha deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
 
Ndryshimet ligjore të arsimit fillor dhe të mesëm, përpos vendosjes së mësimit nga distanca, i mundësojnë qeverisë që të vendosë për numrin e ditëve, orëve mësimore si dhe pushimeve.
 
MERAL ISMAILI