Maqedoni

Gjykimi kundër vëllezërve Huseini, u sëmur njëri nga të pandehurit, u shty seanca

22.09.2020 13:20

Seanca e parë gjyqësore kundër vëllezërve Huseini nga Ohri, është anuluar për më 26 tetor...

Seanca e parë gjyqësore kundër vëllezërve Huseini nga Ohri, është anuluar për më 26 tetor, pasi njërit prej të pandehurve, Ibraim Huseinit, iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe u dërgua në Qendrën për sëmundje kardiologjike dhe vaskulare në Ohër. Sipas asaj që u tha në gjykatë, Ibraim Useini ka pasur probleme me tensionin e gjakut. Në gjykimin e parë të rastit, nuk u paraqit as i dëmtuari Spiro Topaloski, i cili e arsyetoi mungesën me faktin se bashkëshorten e ka të punësuar në çerdhe dhe nuk kishte kush të kujdeset për fëmijët. Ai fillimisht akuzoi vëllezërit se e kanë kërcënuar me armë, por më pas ndryshoi deklaratën e dhënë në procesin parahetimor, duke thënë se bëhet fjalë për deklaratë të interpretuar gabimisht.
 
“Në këtë rast bëhet fjalë për vepër penale, e cila edhe pse paraqet njëfarë lloj të rrezikimit të sigurisë së dikujt, shkaktim të frikës, megjithatë nuk hyn tek veprat e rënda penale ku mund të ketë lëndime të rënda trupore apo fund me pasojë vdekjen. Dënimi minimal për vepra të tilla penale është 6 muaj ndërsa maksimali 5 vjet. Çfarë do të ndodhë do të shohim gjatë procedurës dëshmuese.”,- deklaroi avokati i Nefi Huseinit, Dimitria Çoboski.
 
Prokuroria Themelore Publike ngriti akuza kundër dy vëllezërve nga Ohri për dhunë, pas një zënke fizike para një hoteli në Ohër. Vëllezërit Huseini, të cilët fillimisht ishin në arrati, janë në paraburgim që prej 26 gushtit, kur u vetëdorëzuan. Pas vendimit për paraburgim, ata u liruan pasi ofruan garanci prej 850 mijë eurove. Garancia e parë e ofruar prej tyre për t’u gjykuar në liri, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit në Manastir.
 
ILMIJE ZHAKU