Maqedoni
KE më 6 tetor paraqet raport progresin, RMV dhe Shqipëria presin ende datën për KPN-në
22.09.2020 15:12
Në Këshillin Europian vijojnë diskutimet për kornizën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë...

Në Këshillin Europian vijojnë diskutimet për kornizën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi shtetet anëtare kanë paraqitur vërejtjet e tyre. Në bazë të metodologjisë së re të zgjerimit, korniza është dokumenti kyç mbi të cilin do të hapen kapitujt e negociatave. Ndonëse përgatitja e kornizës së negociatave është drejt fundit, çështja e zgjerimit nuk është përfshirë në agjendën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme. Deri tani dihet vetëm se Komisioni Europian do të paraqesë më 6 tetor raport progresin për vendet kandidate.
Vendi ynë dhe Shqipëria presin një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negociatave dhe duket se për të dy shtetet, procesi është në krizë. Maqedonia e Veriut nuk ka problemet e Shqipërisë në këtë rrugëtim, por Bullgaria ka ringritur pretendimet për çështjen e gjuhës dhe të minoriteteve. Shqipëria, ndërkohë, ende nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme politike, shumica e të cilave lidhen me reformën zgjedhore e për të cilën nga Bashkimi Europian kërkohet miratim me konsensus. Edhe institucionet e larta të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, janë ende jashtë funksionit.
GAZMEND REXHEPI
