Maqedoni
Dimitrov në Bruksel: Të vendosur për t’u bërë demokraci europiane
22.09.2020 15:56
Maqedonia e Veriut fuqishëm është e vendosur për t’u bërë pjesë e Unionit Europian...

Maqedonia e Veriut fuqishëm është e vendosur për t’u bërë pjesë e Unionit Europian, ka porositur nga Brukseli zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov. Në margjina të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, Dimitrov, me kryesuesin gjerman të këshillit, Mihaill Rot, ka biseduar për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në deri në fund të vitit, përderisa zgjat kryesimi gjerman. Sipas tyre, kjo do të ishte sukses i përbashkët. Dimitrov ka nënvizuar se procesi i afrimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është një ndër mjetet më të mira për të inkorporuar standardet europiane në vend.
“Procesi i afrimit është mjeti më i mirë që standardet dhe parimet europiane t’i vendosim në vend. Maqedonia e Veriut është fuqishëm e vendosur që të bëhet demokraci europiane në të cilën do të sundojë drejtësia”,- ka theksuar Dimitrov.
Rot: Maqedonia e Veriut, prioritet i kryesimit gjerman
Ministri gjerman për Europë, Rot, ka theksuar se Maqedonia e Veriut mbetet prioritet i kryesimit gjerman.
“Konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut si dhe nisja e bisedimeve për anëtarësim, janë ndër prioritetet e kryesimit gjerman me BE-në.”,- ka theksuar Rot.
Zëvendëskryeministri Dimitrov takoi edhe ministrin e jashtëm të Luksemburgut, Zhan Aselborn. Vizita e Dimitrov në Bruksel vazhdon me takimet e ndara me nënkryetarin e Komisionit Europian, Margaritis Shinas, si dhe komisionerin për zgjerim, Oliver Varhei.
MERAL ISMAILI
